Kryetari i Zubin Potokut në Kosovë, Izmir Zeqiri ka punësuar vajzën e tij në këtë komunë. Ai ka thënë se emërimi i vajzës së tij është bërë për shkak të mungesë së njerëzve për të formuar qeverisjen lokale.

Sipas mediave nga Kosova, Dhurata Zeqiri është emëruar drejtoreshë e Kulturës në komunën ku i ati mban postin e kryetarit, pasi mungesa e njerëzve për të formuar qeverisjen lokale e ka detyruar të parin e Zubin Potokut t’i besojë vajzës së tij sektorin e kulturës.

Nëse analizohen lidhjet familjare, Zeqiri pohon se shumicën e punëtorëve komunalë i bie t’i ketë të afërt, pasi sipas tij, krejt fshati Çabër janë farefis mes vete.

Kryetari shtoi se punën me emërimet politike në kabinet i përfundoi, e se tani po pret koordinim edhe me Ministrinë e Pushtetit Lokal për hapjen e konkurseve për 200 punëtorë si staf civil.