Kreu i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani ka zbuluar se ka zhvillime të reja lidhur me Arben Ahmetajn, i cili ndodhet ende në arrati.
Gjatë një takimi me gazetarët, Altin Dumani tha se ka zhvillime surprizuese, por ende nuk dihet vendndodhja e ish-zv.kryeministrit i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për disa akuza.
“Nuk kemi të dhëna konkrete se ku ndodhet Arben Ahmetaj. Është verifikuar dhe e kemi të qartë se kur ka dalë nga Shqipëria. Ka zhvillime të reja dhe surprizuese”-tha shkurtimisht Dumani para gazetarëve.
Zhvillimi i fundit i bërë publik nga çështja Ahmetaj ishte kur Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-numrit 2 te qeverisë, i cili kërkoi heqjen e sekuestros nga një llogari bankare, me vlerë 108 mijë euro që ishte bllokuar në një bankë të nivelit të dytë në kuadër të hetimit pasuror ndaj tij. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023, pasi akuzohet për “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.