Pas pamjeve të rënda ku një fëmijë vetëm 3 vjeç rrihet nga edukatorja në një kopsht privat në Fushë Kosovë, ka reaguar edhe ministrja e Arsimit Arbërie Nagavi.
Ministrja dënon ashpër dhunën teksa thotë se kushdo që e ka ushtruar do të marrë dënimin e merituar dhe se institucionet do të marrin masa të menjëhershme.
“Thellësisht e shqetësuar nga pamjet e publikuara të një çerdheje në Fushë Kosovë. E dënoj ashpër dhunën e ushtruar ndaj një të mituri në këtë institucion parashkollor. Dhuna është e papranueshme andaj, pres që kushdo që ushtron dhunë të marrë dënimin e merituar. Ajo që është më shqetësuese sipas pamjeve të publikuara, është se nuk bëhet fjalë vetëm për një person por më shumë edukatore të involvuara e që e shton dyshimin se nuk është fenomen i izoluar. Inspektorati i Arsimit ndodhet në këtë institucion dhe sapo të pranojmë raportin, do të ndërmarrim masa të menjëhershme. MAShTI, komunat dhe në përgjithësi si institucione kemi obligim të kujdesemi e të sigurohemi për mirëqenien e të gjithë fëmijëve”-thuhet në reagimin e ministres.
Videon e ka publikuar familjari Fatos Geci, i cili ka thënë se viktima e dhunës është nipi i tij trevjeçar.