Kushtojnë shtrenjtë flakadanët e hedhur në fushë në fillim të ndeshjes me Poloninë nga tifozët kuqezi, duke shkaktuar ndërprerjen e ndeshjes për disa minuta. Komisioni i Disiplinës në UEFA e ka dënuar Federatën Shqiptare të Futbollit, si organizatore të takimit, me mbylljen e sektorëve pas porte për ndeshjen me Çekinë, që do të zhvillohet më 12 tetor.

Krahas mbylljes së tribunave mbrapa porte, FSHF si organizatore e ndeshjes me Poloninë, është dënuar edhe me një gjobë të majme prej 44 mijë eurosh, e cila duhet paguar brenda 90 ditëve nga dita e vendimit. Një vendin ky i papritur dhe me kosto të lartë si nga ana sportive, edhe nga ajo financiare, pasi kuqezinjtë humbin mbështetjen e zjarrtë të tifozëve më të flaktë.

Nga ana tjetër, edhe FSHF do të arkëtojë shumë më pak para nga shitja e biletave, pasi do të jetë e detyruar të kthejë mbrapsht paratë për biletat e shitura në sektorë që duhet të jenë bosh. Vlen të theksohet se biletat për ndeshjen Shqipëri-Çeki dolën në shitje të premten e kaluar dhe u shitën brenda pak orëve, pasi interesi ishte vërtetë shumë i lartë…