Franca ka urdhëruar kompaninë Apple të ndalojë shitjen e iPhone 12 për shkak të emetimit të tepërt të rrezatimit elektromagnetik. Mbikëqyrësi francez i tha gjithashtu gjigantit të teknologjisë që të rregullonte edhe telefonat ekzistues.

Autoriteti francez e ka këshilluar Apple që nëse nuk mund ta zgjidhë problemin nëpërmjet një përditësimi të softuerit, duhet të tërheqë çdo iPhone 12 të shitur në vend. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka kërkuar edhe më parë të zbusë frikën rreth rrezatimit të emetuar nga telefonat celularë.

Ajo thotë në faqen e saj të internetit se nuk ka asnjë provë për të arritur në përfundimin se ekspozimi ndaj fushave elektromagnetike të nivelit të ulët është i dëmshëm për njerëzit.

IPhone 12 u publikua për herë të parë në shtator 2020 dhe ende shitet në mbarë botën. Në një reagim për mediat Apple tha se po kundërshtonte vendimin e autoriteteve franceze dhe se i kishte ofruar rregullatorit rezultatet laboratorike nga vetë gjigandi i teknologjisë dhe palët e treta, të cilat tregojnë se pajisja është në përputhje me të gjitha rregullat përkatëse.

Ai tha se iPhone 12 u lejua në mbarë botën pasi është në përputhje me rregullat për nivelet e rrezatimit.