Në Gjermani ka shpërthyer debati pas publikimit të një studimi mbi botëkuptimet me sfond ekstremist të djathtë në Gjermani. Gjermania ka një problem, sipas autorëve, kthesë djathtas dhe distancim nga demokracia.
Sipas studimit të fondacionit “Friedrich Ebert”, i afërt me Partinë Socialdemokrate, SPD, gati çdo i 12 person i rritur në Gjermani ka një botëkuptim ekstremist të djathtë. Qëndrimet ekstremiste të djathta janë rritur në masë shqetësuese, sipas studimit që thirret “Studimi i qendrës së shoqërisë”. Sipas Prof. Beate Küpper një prej autorëve të studimit, kjo është diçka që në këtë dramacitet nuk e kishim menduar. Disa madje distancohen hapur nga vlerat demokratike dhe madje shkojnë deri aty sa të miratojnë edhe dhunën, të tjerë e shprehin këtë më me dyshim e shpesh kemi të bëjmë me njerëz që politikisht e shohin veten në qendër të shoqërisë, sipas Küpper, e cila u shpreh për këtë studim në një intervistë për televizionin gjerman, ZDF.
Sipas studimit një pjesë e atij që njihet si mesi i shoqërisë ka humbur besimin tek institucionet demokratike dhe funksionimi i demokracisë. Krahasuar me studimin e mëparshëm gati 2/3 e të anketuarve kanë pozicione konspirative dhe populiste. Në studimin aktual të mesit të shoqërisë gati 30%, dy herë më shumë se përqindja e studimit të kaluar e miratojnë formulimin: “Partitë qeverisëse e gënjejnë popullin.”
“Për çështje komplekse të kohës kërkohen gjithnjë e më shumë zgjidhje të thjeshta”
Sias studiueses Küpper arsyet për këtë zhvillim lidhet “pjesërisht me pasigurinë, që kushtëzohet nga disa kriza të fundit, duke filluar me pandeminë e Coronës tek lufta e Ukrainës, inflacioni dhe ndryshimi i klimës.” Interesante, sipas Küpper, është që vetëm 31% e të anketuarve përgjigjen se janë personalisht të prekur nga krizat.
Pjesa më e madhe, 55% e kolektivizojnë këtë pasiguri dhe theksojnë se Gjermania është shumë e prekur. Kjo bën që narrativat për krizat e shumëfishta dhe gjoja shpjegimet e qarta për to të depërtojnë në mesin e shoqërisë gjithnjë e më shumë. Për këtë punojnë prej kohësh forcat e ekstremit të djathtë, thekson Küpper, për ZDF. “Thënë përmbledhtazi për çështje komplekse të kohës synohen dhe kërkohen gjithnjë e më shumë zgjidhje të thjeshta.”
Ky studim duhet të na shqetësojë, sidomos në lidhje me pranimin hapur të një ideologjie ekstremiste të djathtë. Por sipas Küpper të bën optimist fakti që sipas studimit “rreth tre të katërtat e të anketuarve e mbështesin shoqërinë e hapur. Dhe shumë vetë i kuptojnë sfidat dhe janë të gatshëm të veprojnë me guxim dhe në formë demokratike.” Kështu për shembull 75% e të anketuarve janë të mendimit, se për shkak të luftës në Ukrainë duhet të përshpejtohet zgjerimi i energjive të rinovueshme. Prof. Küpper kërkon që të kemi kujdes që të mos na shkasin duarsh vlerat demokratike. Sepse demokracia nuk do thotë vetëm kërkesa, por edhe përgjegjësi e të gjithëve që ajo të funksinojë.
Me shqetësim e ka analizuar edhe gazeta “Freie Presse” këtë studim. “Kjo është vlera më e lartë e matur ndonjëherë, që kur ka filluar të bëhet ky studim. Kjo është shqetësuese. Dhe shtron pyetjen: Nga vjen kjo? Përgjigja për këtë është shumë komplekse, dhe duhet të ketë shumë shkaqe, jo vetëm një. Për disa diskutohet shpesh; inflacioni, imigrimi, ekstremistët e djathtë dhe populistët në parlamente. Por ka edhe një arsye tjetër që shpesh harrohet. Demokracia ende vuan pasojat e pandemisë së Coronës. Për këtë të flet edhe rritja e hovshme e vlerës së sondazhit që mat qëndrimet ekstremiste të djathta. Më parë vlera e atyre që kishin një botëkuptim ekstremist të djathtë nuk i kalonte 2,95, dhe nuk u rrit edhe në vitet 2016 dhe 2016, të përcaktuara nga kriza e migracionit.
Për të realizuar studimin që publikohet në ritëm dy vjeçar janë pyetur në mënyrë përfaqësuese 2027 vetë nga mosha 18 deri në 94 vjeç. Partner shkencor është Instituti për Studimet e Konfliktit dhe Dhunës i Universitetit të Bielefeldit. Mbi bazën e këtyre të dhënave analizohen sfidat aktuale dhe të ardhshme për demokracinë dhe shoqërinë në Gjermani./DW