Vijon rehabilitimi i infrastrukturës së brendshme të lagjeve të Elbasanit. Drejtuesi politik i PS për qarkun Damian Gjiknuri bashkë me Kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja inspektuan përfundimin e punimeve në rrugën “11 Nëntori”. Gjiknuri theksoi se projektet e rehabilitimit nuk janë thjesht për fushata elektorale, por janë një përpjekje e vazhdueshme e bashkisë për të përmirësuar jetën e qytetarëve. Ai bëri të ditur se aktualisht janë të hapura edhe kantiere të tjera cilat do të përfundojnë shumë shpejt.
“Njerëzit ndonjëherë kujtojnë sikur punët bëhen thjesht për fushata elektorale. Kjo është një punë e vazhdueshme e bashkisë, ka shumë plane të tjera bashkia. Ka hapur një sërë kantieresh të cilat jam i bindur që do të përfundojnë shumë shpejt dhe pse jo të vazhdojmë me projektet e tjera të rëndësishme për Elbasanin. E rëndësishme është që çdo lagje e Elbasanit shumë shpejt, edhe ajo pjesa që ka mbetur, do të urbanizohet plotësisht dhe realisht është një punë që e mirëpresin qytetarët”, theksoi Gjiknuri.

Kryetari i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja, shtoi se përkundër ndonjë skepticizmi fillestar, punët janë intensifikuar në mënyrë të dukshme në qytet dhe në fshat. Ai theksoi se rehabilitimi i infrastrukturës së brendshme të lagjeve është një projekt që po zhvillohet në çdo lagje të Elbasanit dhe që po përmirëson kushtet e jetesës së qytetarëve. “Njerëzit ndonjëherë mendonin se mbaroi fushata dhe do të mbaronin edhe punët, por realisht ne i kemi intensifikuar ato. Jo vetëm në qytet, por dhe në fshat. Janë punë të cilat ne po ndërhyjmë në çdo lagje te Elbasanit, në çdo rrugicë të Elbsanit. Ashtu siç po ecim në qytet, po ecim dhe në fshat. Paralelisht ne po bëhemi gati dhe për vitin e ri shkollor me një sërë ndërhyrjesh që janë të domosdoshme dhe për infrastrukturën shkollore, por edhe në sheshet e pallateve”, deklaroi Llatja.
Gjithashtu, kryebashkiaku Llatja njoftoi se janë planifikuar ndërhyrje të rëndësishme për infrastrukturën shkollore.