Ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, nga Haga ka telefonuar familjen e policit të rënë në detyrë Afrim Bunjaku për tu shprehur ngushëllimet. Njoftimi u bë i ditur nga nënkryetari i Komunës së Skënderajt, Sami Lushtaku.

“Nga Haga, përmes telefonit, familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut”, tha Lushtaku.

Rreshteri Afrim Bunjaku, u vra në orët e para të së dielës në një sulm terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit, kur policia kishte shkuar për të larguar dy kamionë që e kishin bllokuar rrugën.