Përtej angazhimit në rritje në tregun e punës, gratë vijojnë të përballen çdo ditë me pabarazinë gjinore. Për çdo lekë që një burrë fiton në Shqipëri, për po të njëjtën kohë të shpenzuar në punë, një grua merr gati 7% më pak. Sipas statistikave, gratë në Shqipëri janë në pozita më të pafavorshme se burrat edhe kur ato janë më të arsimuara.
“Fuqizimi i gruas është fuqizimi i vet shoqërisë. Sepse kur kemi një pjesë që është gjysma e shoqërisë që nuk është në gjendje që të shprehi potencialin në të gjitha fushat, në fakt ne po varfërojmë shoqërinë vet. Besojmë që duke u fokusuar tek ndarja e barabartë e barrës aty është dhe çelësi i arritjes së barazisë”, tha Geri Ballo, aktiviste.
Sipas Institutit të Statistikave, një e punësuar sot merr mesatarisht 59 mijë lekë nga 63 mijë lekë që në burrë fiton, ose thënë ndryshe 4 mijë lekë më pak. Ky fakt sipas psikologes Klarida Rrapaj, demoralizon këtë kategori të shoqërisë.
“Kur një grua bën të njëjtën punë si një mashkull, ndodh që paguhet më pak. Nga ana psikologjike kjo është shumë dëmtuese, sepse e demoralizon punën e saj, shkollën dhe studimet e saj. Kjo është një edukim I transmetuar brez pas brezi. Sot gratë kanë arritur pozicione nga an e biznesit shumë të larta por jemi shumë larg për të thënë njëlloj me meshkujt”, tha Klarida Rrapaj, psikologe.
Në rang global sipas raportit të Hendekut Gjinor 2023, Shqipëria renditet më mirë se vendet e rajonit, e 17 nga 146 vende. Përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile thonë se hendeqe të tilla mund të adresohen përmes një strategjie të posaçme që çon ne një fuqizim ekonomik të gruas.