Aktori amerikan, Danny Masterson, është dënuar me 30 vite burg për përdhunimin e dy grave. Masterson luajti në “That 70 Show”, një serial televiziv që u transmetua në fillim të viteve 2000.

Prokurorët pretenduan se 47-vjeçari, ishte mbështetur në statusin e tij si një anëtar udhëheqës i Kishës së Scientologjisë për të shmangur përgjegjësitë.

Teksa gjyqtari lexonte vendimin për dënimin e tij, bashkëshortja e tij, Bijou Phillips, u pa prezente në gjykatë, e cila shpërtheu në lot.

Masterson u shpall fajtor në maj në një rigjykim pasi juria e parë gjykuese nuk ishte në gjendje të merrte një vendim në vitin 2022. Aktori u dënua pasi tre gra dëshmuan se ishin sulmuar seksualisht në shtëpinë e tij në Hollywood nga viti 2001 deri në 2003, në kulmin e famës së tij televizive.

Gjykata dëgjoi dëshminë se ai u dha atyre drogë përpara se t’i përdhunonte. Ai u shpall fajtor për përdhunim ndaj dy nga tre akuzuesit e tij. Akuzat e ngritura nga gruaja e tretë u shpallën të pavlefshme dhe prokurorët thanë se nuk kishin ndërmend ta përsërisnin rastin.

Pas dënimit të tij, Masterson u konsiderua si person i rrezikshëm dhe u dërgua në paraburgim. Aktori u akuzua për herë të parë për përdhunim në vitin 2017 në kulmin e famës së tij. Ai i mohoi akuzat dhe tha se secili nga takimet ishte konsensual. Akuzat erdhën pas një hetimi tre-vjeçar nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit.