Një mësimdhënëse me grada të larta akademike ka shokuar sot kolegët dhe lexuesit e tjerë në rrjetin Linkedin, duke cituar… Adolf Hitlerin!
Prof.Dr. Besa Shahini (e cila ka emër të njëjtë me ish-ministren e arsimit) është pedagoge pranë Departmentit të Statistikës dhe Informatikës së Aplikuar pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës – raporton Dita.
“Ji krenar për popullin tënd, kur nuk ke arsye të turpërohesh nga asnjë prej klasave të tij shoqërore” – është një thënie nga më racistet e Hitlerit.
Profesore Shahini e ka marrë këtë shprehje dhe thotë se është dakord me Hitlerin në këtë rast. Më pas shkruan në anglisht:
“Zgjodha sot të citoj Hitlerin dhe realisht mendoj si ai, në kontekstin tonë politik kjo do të thotë:
“Ji krenar për qeverinë tënde, kur nuk ke arsye të turpërohesh nga asnjë prej anëtarëve të saj”.
Postimi ka ngjallur habi dhe reagime.
Profesori i njohur Fatos Tarifa i është përgjigjur koleges në Linkedin me fjalët:
“Sa krahasim aspak i mençur. Dhe nga një profesore!! Shokuese”.
“Ka mbaruar studimet Bachelor dhe Master, Dega Financë-Kontabilitet, Fakulteti i Ekonomisë, Universiteti i Tiranës. Ka marrë gradën Doktor i Shkencave Ekonomike dhe ka titullin akademik Profesor” – thuhet në CV-në e pedagoges Shahini.