Në mbyllje të javës së parë të sezonit të ri televiziv, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka tërhequr vëmendjen 4 televizioneve për shkelje të konstatuara.
Siç ka bërë me dije, kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, nga monitorimet e kryera nga Drejtoria e Monitorimit dhe Analizës janë konstatuar shkeljet e kryera nga 3 televizione, për transmetimin e reklamave brenda edicioneve informative (përfshirë edhe komunikimet tregtare të fshehura) dhe një televizioni për përmbajtje dhe gjuhë joetike në një emision të transmetuar në prime time.
Për këtë arsye AMA ka marrë vendimin për Tërheqje Vëmendje për 4 televizione.
“Sa i takon kërkesave ligjore për reklamat dhe komunikimet tregtare, ligji është i qartë, shkruan kryetarja e AMA-s në rrjetet sociale. Lajmet dhe programet informative që lidhen me politikën nuk mund të sponsorizohen. Gjithashtu komunikimet me natyrë tregtare të fshehura janë të ndaluara me ligj. Transmetime të tilla janë edhe në shkelje të plotë të Kodit të Transmetimit”.
Në shkelje për përdorim të gjuhës e veshjeve joetike dhe jo të përshtatshme për orarin në të cilin është transmetuar, është gjetur edhe në një tjetër emision televiziv i javës së kaluar.
“Për raste të tilla që mund të dëmtojnë zhvillimin fizik, mendor dhe moral të fëmijëve, ligji dhe Kodi i Transmetimit është qartë dhe i rreptë. Të tilla shkelje mund të evitohen duke zgjedhur orarin e duhur të transmetimit ose ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët normalisht nuk i shikojnë ose dëgjojnë. Kur programe të tilla transmetohen në formë të hapur ato duhet të paraprihen nga një paralajmërim akustik ose të identifikohen nga prezenca e një simboli viziv gjatë gjithë kohëzgjatjes së tyre”, shkruan Krasniqi duke paralajmëruar që nëse në rastet e përsëritjeve do të fillohet procedimi, sipas legjislacionit në fuqi.