Për tre ditë me radhë, Sheshi “Nënë Tereza” do të kthehet në hapësirën më të madhe dedikuar sportit. Në kuadër të “Tirana kryeqyteti Sportit” Bashkia Tiranë organizon më 28, 29 dhe 30 shtator “Javën Europiane të Sportit”, duke sjellë një sërë hapësirash dedikuar disiplinave të ndryshme sportive, nutricionizëm, teknologji, mjekësi sportive, sport për mendjen për të gjitha grupmoshat.
Të apasionuarit pas sportit do të mund të ndjekin sportistë dhe specialist të fushës të cilët do të flasin për sportin, ndërkohë që një vend të veçantë do të zërë dhe “Jetesa, ushqimi i shëndetshëm dhe sporti shkollor”.
Përgjatë tri ditëve, një sërë subjektesh, organizatash, klubesh sportive dhe individësh do të ofrojnë dhe demostrojnë shërbimet e tyre të lidhura me mirëqenien individuale dhe kujdesin që i duhet kushtuar fizikut. Qytetarët do të mund të shohin profesionistë që do të demostrojnë falas klasa si Yoga, Aerobi, Kërcim sportive dhe të tjera sporte me qëllimin për t’i afruar vizitorët me aktivitetin dhe për ta bërë eksperiencën më interaktive.