Për herë të parë, Shqipëria do të presë kampionatin botëror të Formula 1 në ujë, i njohur ndryshe si F1H2O. Gara do të zhvillohet në Pogradec vitin e ardhshëm, ndërsa kryebashkiaku Ilir Xhakolli dha detajet në Report Tv. I ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, kreu i Bashkisë tha se vendi ynë do të presë për herë të parë një kampionat të tillë që është zhvilluar në vende të mëdha si Italia, Dubai, Franca apo Spanja. Xhakolli thotë se ky kampionat do jetë një promovim shumë i mirë jo vetëm për Pogradecin, por për të gjithë Shqipërinë. Ai tregoi edhe se si u arrit marrëveshja me përfaqësuesit e Formula 1.

“Kam bërë të mundur që ti ftoj ata në Pogradec, një grup prej 5 vetash nga Formula 1. Para një jave ishin në Pogradec, panë terrenin dhe bëmë një marrëveshje që të zhvillohet kampionati botëror i Formula 1, 3 ditë për skafet dhe 3 ditë për motorët. Kështu që kjo për mua është, jo vetëm për Pogradecin, po promovim i mirë për gjithë Shqipërinë për sezonin turistik të ardhshëm. Kampionati do të mbahet për një javë rresht, nga datat 1-7 korrik 2024. Kryebashkiaku thotë se në këtë garë ndërkombëtare do të marrin pjesë 43 skuadra nga e gjithë bota, të cilët do të garojnë në dy disiplina, atë të skafeve dhe jet skive.

“Janë 43 pjesëmarrës nga shtete të ndryshme. Në fund të muajit shtator janë në Sardenjë, janë bërë edhe në disa shtete te tjera, këtë vit kampionati botëror finalja bëhet në Dubai. Vitin tjetër do bëhet në Pogradec. Janë 43 pjesëmarrës me motor dhe 43 të tjerë me skafe. 3 ditë do jetë me skafe dhe 3 ditë të tjera për motorë. Nga data 1 deri në datën 7. Po marrim masat që tani”, vijoi Xhakolli. Për organizimin është ngritur një grup pune, ndërsa kryebashkiaku thotë se do të kërkohet mbështetje edhe nga qeveria.

“Nga përmasat i kalon edhe kapacitet që ka bashkia, por kërkohet një organizim nga i gjithë stafi. Ne sot bashkë me përfaqësuesit e Formula 1 ngritëm një grup pune për të organizuar hap pas hapi të gjitha ato që kërkohen nga specialistët e Formula 1. Bashkia do bëjë punën e vet, por do jetë e domosdoshme edhe ndërhyrja e qeverisë se i kalon përmasat e një bashkie”, u shpreh kryebashkiaku i Pogradecit.