Nga Sander Lleshaj/
Njësia ushtarake që sulmoi sot befasisht Policinë e Kosovës më solli ndërmend pamjet e vitit 2014, kur Rusia sulmoi Krimenë një ushtri anonime, pa simbole dhe shenja identifikuese, duke përdorur shpërfillur krejtësisht ligjet e luftës.
Të ashtuquajturit „little green men“ u shfaqën si fantazma, duke sulmuar aeroportet, bazat ushtarake dhe institucionet e Krimesë, ndërkohë që Putini dhe Rusia e tij ngrinin djallëzisht supet si krejt të pafajshëm për atë që po ndodhte përpara syve të gjithë botës, e cila, si përherë, shihte duarkryq dhe plot hutim.
Edhe sot, në Kosovë sulmoi një njësi e mirëfilltë ushtarake, me organizim, armatim, uniformë dhe të gjithë parametrat e nevojshëm që përbëjnë një formacion tipik ushtarak. E vetmja gjë që i mungonte kësaj njësie ishin simbolet mbi uniformë. Është pikërisht ky detaj që i bën ata shumë të ngjashëm me ato fantazmat e gjelbërta të Krimesë, të cilët pak më vonë nga Rusia u quajtën „polite, armed men“, si me thënë „burra të armatosur e të fisëm“, që në fakt ishin pjesëtarë të forcave speciale ruse, të ashtuquajturat „Spetsnaz“.
Me këto njësi ushtarake të anonimizuara prej mungesës së simboleve mbi uniformë, filloi Lufta e Ukrainës, ose tragjedia më e madhe në Europë pas Luftës së Dytë Botërore. Mungesa e një reagimi të vendosur të Ukrainës dhe të botës demokratike askohe solli më vonë atë që po shohim tashë prtej dy vitesh në Ukrainë, dundin e të cilës askush nuk e ka të qartë ende.
Ajo që po ndodh sot në Kosovë ka një ngjashmëri shqetësuese me Krimenë e 2014-ës. Besoj se leximit të deritanishëm të situatës në Kosovë nga vëzhguesit apo përgjegjësit politikë, kombëtarë e ndërkombëtarë, i mungon thellësia e plotë.
Në Kosovë nuk ka sulmuar thjesht një grup i organizuar kriminal, apo një bandë e armatosur!!! As thjesht një grup terrorist!!! Në Kosovë po zhvillohet një sulm ushtarak, që deri tani është përqëndruar kundër Policisë së saj në kufi.
Asnjë pikëpyetje nuk mund të ketë për karakterin ushtarak të sulmit, ndërkohë për t’u sqaruar mbeten disa pyetje të tjera si për shembull:
Nën komandën e cilit shtet është njësia ushtarake që ka sulmuar në veri të Kosovës?
Cilat janë elementët e tjerë të strukturave ushtarake të përfshira në sulm?, pasi është e vështirë të mendohet që kjo aventurë e rrezikshme të jetë e izoluar dhe jetime?
Cilët janë objektivat e sulmit?
Sulme të tilla, mirëfilli ushtarake, por anonime në dukje, zhvillohen kështu për të shmangur përgjegjësinë ndërkombëtare të organizatorëve, të cilët e nxjerrin kokën pas suksesit, si Putini në Krime në 2014, ose mbeten në hije në rast dështimi.
Sigurisht që sulmi në Kosovë do të thyhet dhe ndoshta shefat e tij do të mbeten zyrtarisht të panjohur, ndonëse nuk ka njeri me minumin e arsyes që nuk i njeh ndërkohë ata.
Megjithatë, aktualisht mbetet me rëndësi jetike mposhtja me vendosmëri dhe me shpejtësi të madhe e sulmit në nivelin ushtarak. Këtë detyrë e kanë në radhë të parë forcat e sigurisë së Kosovës dhe KFOR.
Por sulmi duhet mposhtur edhe në nivelin politik. Për këtë ka përgjegjësi Qeveria e Kosovës, Qeveria e Shqipërisë, NATO, BE, OKB dhe të gjithë ato forca që realisht janë të rreshtuara në mbrojtje të lirisë.
Është me rëndësi që reagimi politik kundër këtij precedenti të rrezikshëm të jetë i qartë dhe i vendosur. Reagimet anemike, ambigue si dhe dërdëllisjet letargjike apo deklaratat e lodhura burokratike, jo vetëm që nuk ndihmojnë, por përkundrazi inkurajojnë agresorët e maskuar në Kosovë.
Këtu nuk ka „palë“, por një agresor dhe Kosova nga ana tjetër.
Reagimi i shpejtë dhe i qartë tani është vendimtar që agresioni të ndalohet dhe organizatorët e tij të shkurajohen dhe të vijojnë që të mbeten edhe më tej „zyrtarisht“ anonimë. Në të kundërt, ata do të mund të inkurajohen nga „suksesi“, të nxjerrin kokën dhe të vijojnë mjeshtërinë e vjetër: përhapjen e zjarrit në Ballkan.
Pikërisht për faktin se rasti i Kosovës është shumë më i ndryshëm nga ai i Krimesë, edhe pasojat e përshkallëzimit të konfliktit do të ishin katastrofike. Por, ndryshe nga ukrainasit e 2014-ës, që e kishin bërë luftën e fundit në 1945-ën, shqiptarët e Kosovës e kanë mbyllur luftën e tyre vetëm para disa vitesh. Dhe me fitore.