Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, ka reaguar lidhur me Kuvendin Kombëtar të PD-së së drejtuar nga Lulzim Basha.

Përmes një postimi, Gjekmarkaj ironizoi marrjen nga ana e Bashës edhe të postit të kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, duke thënë se diçka të tillë e bëri edhe diktatori Enver Hoxha për vite me radhë brenda partisë së tij dhe shtetit shqiptar.

“Në një “festë syneti” sot Lulzim Basha i cili foli për hapje të shoqatës së tij u shpall i përjetshëm, i përgjithshëm dhe mori për vete një mori postesh imagjinare…. Enver Hoxha i pat mbajtur për disa vjet postet kryesore të shtetit dhe të Partisë. Sekretar i Parë, Kryeministër, Ministër i jashtëm dhe i mbrojtjes. Pas vitit 1952 edhe ai hoqi dore e mbajti vetëm atë të Sekretarit të parë. Në një “festë syneti” sot Lulzim Basha i cili foli për hapje të shoqatës së tij u shpall i përjetshëm , i përgjithshëm dhe mori për vete një mori postesh imagjinare.

Pastaj fap e fap përjashtoi po në mënyrë imagjinare ata që nuk i ka. I paaftë që të turpërohet pas 18 vitesh në politike foli për politike të re kundër se vjetrës. Kërkoi ndjesë. Kuj !? Kush do t’ia dijë për ndjesën e tij ! Foli për emërime të gabuara që paskësh bërë. Ai na doli shakaja më e madhe dhe emërimi më fatkeq i Sali Berishës. E zgjodhi të ngratin, duke prishur garën dhe injoruar kontributet në PD për veset jo për virtytet me konceptin e kontrollit total mbi të e të partisë pronë.

Pa asnjë beteje publike i kapur nga veshi ne emigracion erdhi në krye. Ja futi si kurrkush, si skuth qe pret çastin i pazoti për të bërë betejën e ndarjes me kulturën politike, i etur për te përfituar prej sajë gjithçka, pa patur kurrë një projekt. Flet për njerëzit, për demokratet pasi ju pegëren investimin, mundin për karrigen dhe pasuritë e tyre. Pa u skuqur pa u zverdhur me lëkuren si sholle këpucët i rrejtën për hallet e tyre ore e çast.

PD duhet të bashkohet, që të filloje rritjen, të dëbojë mentalitetin punist të liderëve dhe ushtarëve të përjetshëm. Ajo ka nevojë për garë dhe institucione të vërteta të cilat i japin asaj lidership fitues përndryshe do t’i mbetet vetëm e kaluara si kujtim dhe copat aktuale si fosile në xhepat e rrënuesve të panginjur e të pa cipë. Egoja e tij pas shanseve të mëdha, viteve të gjata mbetet një rast sui generis për studim antropologjik”, shkruan Gjekmarkaj.