Takimi i shumëpritur mes presidentit rus Vladimir Putin dhe presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan do të mbahet sot në qytetin e Soçit, ku dy lidërtë botërorë pritet të diskutojnë mbi rifillimin e dërgesave ushqimore nga Ukraina dhe rinisjen e marrëveshjes për eksportin e drithërave nga Deti i Zi, që Moska ndërpreu në korrik.

Në rolin e ndërmjetësit, presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ka planifikuar të takojë ketë të hënë Vladimir Putin, duke shpresuar të bindë liderin rus që t’i bashkohet sërish marrëveshjes së drithit të Detit të Zi që Moska e ndërpreu në korrik.

Takimi, do të zhvillohet në Soçi në bregun jugor të Rusisë, ndërsa këshilltari kryesor i Erdogan për çështje të politikës së jashtme Akif Çagatay Kiliç zbuloi detaje nga agjenda e diskutimeve.

“Ne po luajmë një rol udhëheqës në këtë proces e po vëmë re një mbështetje të fortë nga e gjithë bota, për rivendosjen e këtij korridori të kalimit të grurit ”, tha në një intervistë për kanalin televiziv turk ‘A Haber’, tha zoti Kiliç.

Ai shtoi se Turqia do të tregohet e kujdesshme në diskutimin e kësaj çështjeje të hënën, me shpresën për të arritur sukses, pasi sikurse tha zoti Kiliç, kjo është një situatë që prek të gjithë botën.

Ndërkohë Rusia ka sulmuar mbrëmë me dronë infrastrukturën portuale në lumin Danub, që konsiderohet mjaft e rëndësishme për eksportin e grurit ukrainas.

Si pasojë të paktën dy persona u plagosën në pjesët jugore të rajonit të Odesës, bënë të ditur zyrtarët ukrainas.