Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, ka inspektuar punimet në spitalin e ri ditor, pjesë e fazës së dytë të zbatimit të masterplanit të modernizimit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Teksa e ka konsideruar një vlerë të shtuar për QSUT, Manastirliu nënvizoi se spitali i ri ditor, do të ulë fluksin në disa shërbime të sëmundjeve të brendshme.
“Në Mars, kur përfundon ky investim, ne do të kemi një strukturë të re spitalore, me një spital ditor, me shërbimin e hemodializës, me shërbimimin e toksikologjisë, me një holl pritje të ridimensuonuar, që do të lehtësojë shumë qarkullimin e pacientëve për shtrime edhe të familjarëve që do të organizohen tërësisht nga kjo hyrje e re. Jam e bindur që edhe kjo do të jetë një vlerë e shtuar si investim për të gjithë spitalin, e para, sepse do të shmangë qarkullimet në spitalin qendror dhe spitali ditor e lehtëson këtë pjesë, si dhe shërbimet ditore që kanë lidhje me shërbimin e kemioterapisë apo të tjera ndërhyrje, që do duhet të bëhen brenda 24 orëve në këtë spital ditor, por edhe shërbimi i dializës, që do të jetë në standarde dhe parametra bashkëkohorë, në një strukturë të re, të investuar nga e para”,- u shpreh Manastirliu.
Ky investim po kryhet në një sipërfaqje prej 3,500 m2, ku do të ketë një ambient të ri pritjeje, spital ditor, kapacitete për shërbimin e hematologjinë, reumatologjisë dhe mjekësisë interne; një zonë mikrokirurgjie, 3 dhoma ekzaminimi. Do të vendoset gjithashtu Shërbimi i Hemodializës dhe Shërbimi i Toksikologjisë. Pas ndërtimit të Spitalit të ri Kirurgjikal, Spitalit Qendror, Spitalit Infektiv, Spitalit Pediatrik në QSUT, vijojnë investimet për finalizimin e masterplanit, me rindërtimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, fazën e dytë të Spitalit Pediatrik dhe ndërtimin e Spitalit Ditor, e më tej, me rehabilitimin e plotë edhe të Spitalit Psikiatrik.