Në tapetin e kuq parakaluan kineastë të ftuar e vendas, aktorë, artdashës e personalitete të artit e kulturës në vend. Në ceremoninë hapëse të TIFF ishte e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Elva Margariti si edhe kryetari i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Ky edicion i 21-të do të ketë shfaqje filmash, të ftuar, masterclasse dhe padyshim edhe një garë, që do të nxjerrë një fitues që udhëton për “Oscar”, në kategorinë e filmit të shkurtër.
“Një javë që s’duhet humbur, nga Kinema “Millenium”, te Kinema “Agimi”, Liceu Artistik e Piramida, ku do të shfaqen 192 filma të gjatë e të shkurtër”, shkroi ministrja Margariti në rrjetet sociale.
Edicioni i 21-të i Tirana International Film Festival do të mbahet deri në 29 shtator. Pas kokteilit, në kinema Millennium u mbajt fjala hapëse nga drejtuesi dhe themeluesi i këtij festivali, Agron Domi. Më pas u transmetua premiera e filmit “Kaymak” të regjisorit Milcho Manchevski, i cili gjendet personalisht në Tiranë.
Prej këtij festivali filmi, nga më jetëgjatët në vend, përzgjidhen edhe filma të cilët kualifikohen për të garuar në Oscar®️ dhe European Film Awards.