Gjykata e Tiranës caktoi sot masën e sigurisë detyrim me paraqitje për këngëtaren Enca Haxhia, në ballkonin e banesës së të cilës u gjetën 5 rrënjë kanabisi të mbjella në vazo.
Këngëtarja e arrestuar të martën e 12 shtatorit 2023 doli sot para gjykatës për masën e sigurisë.
Prokuroria kërkoi arrest me burg ndërsa avokatët kërkuan masë më të butë sigurie duke pretenduar se nuk qëndrojnë kriteret për masë arresti burg
Sipas avokatëve kontrolli në banesë është bërë pa vendim gjykate por me iniciativë të policisë.
Këngëtarja ishte e pranishme në seancë por nuk foli.
Në një dokument nga dosja, të siguruar nga Report Tv, policia shkruante se pas arrestimit, Enca Haxhiaj ka pranuar se është përdoruese e kanabisit.
Ajo sqaronte se bimët i ka mbjellë vetë, për kuriozitet dhe për nevojat e saj personale. Megjithatë nëse shpallet fajtore në fund të gjykimit, me sasinë e bimëve narkotike të kapura në banesën e saj këngëtarja rrezikon nga 3 deri në 7 vjet burg, një penalitet i njëjtë edhe për ata që kapen me parcela të mbjella me drogë.
Në raport thuhet se bimët narkotike në ballkonin e banesës së këngëtares në katin e 4, në Lundër, kishin arritur nga 1.1 deri në 1.3 metër.