Në luginën e Bellovës rrëzë malit të Korabit, 1 kilometër nga qyteti i Peshkopisë, ndodhen burimet termale të llixhave. Tashmë kjo luginë është pagëzuar me emrin “lugina e shërimit”, një mrekulli natyre për efektet kurative, përdorimi i të cilave fillon që në vitet 1960.
Vetitë kuruese të ujit termo-mineral të llixhave, përqendrohen te përbërja kimike e tij, temperatura 39.5 gradë përmban hidrogjen sulfitine, alga, etj.
Sot frekuentuesit janë të shumtë, numri i vizitorëve kalon mbi 30 mijë përgjatë sezonit, ose deri në 2500 në ditë. Gjeografia e vizitorëve është nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Ato shprehen të kënaqur me vetitë kurative të ujit dhe kanë gjetur shërim.
Trajtimi në ujërat termale duhet kryer me kujdes, e gjithmonë nën këshillat e personelit shëndetësor të qendrës, pasi koha e qëndrimit, temperatura e banjove dhe të baltës, seancat, këshillohen të ndryshme në varësi të moshës dhe sëmundjes.
Trajtimi në ujërat termalë ndihmon deri edhe në shërimin 100% të sëmundjeve reumatizmale, kronike si artritet, poliartritet, sëmundjet reumatizmale gjenerative (artrozat) etj. Po kështu trajtimet kanë veti të veçanta rehabilituese, për të aksidentuarit me fraktura e trauma të ndryshme.
Përveç ujërave termo-minerale të nxehta, vetëm 200 metra më sipër janë dy burime me ujë të ftohtë, që burojnë nga formacione gipsi dhe kanë ngarkesa minerale, të cilat shërbejnë për trajtimin e një sërë sëmundjesh.
Ato frekuentohen pothuajse njësoj si llixhat. Mjeku Mentor Prifti thotë se janë të shumtë pacientët që u rekomandojnë për të bërë banjë me ujë të ftohtë. Shpesh i ndjekim dhe i këshillojmë në grupe, pasi për shkak të fluksit nuk munden të gjithë të kalojnë në sitën e mjekut.
Vizitorët janë të kënaqur me ujin e llixhave, kushtet e qëndrimit, natyrën e bukur të luginës së shërimit, ajrin e pastër dhe lokalet private të cilat u ofrojnë mundësi relaksimi.