21 Shtator, Shkodër- Ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, zhvilloi një takim me fituesit e konkursit ndërkombëtar INTEL AI Global Impact Festival 2023, tre nxënës të talentuar të Gjimnazit “28 Nëntori” në Shkodër. Ermi Tafili, Endri Zaganjori dhe Gerti Dermani triumfuan në këtë konkurs, me projektin me titull “ASRV AI – System or Road Violations”, për t’i dhënë zgjidhje përmes inteligjencës artificiale, të trafikut në qytetin e Shkodrës.
Ministrja Ogerta Manastirliu ka vlerësuar nxënësit e Gjimnazit “28 Nëntori” për këtë projekt invoativ, duke nënvizuar se do vijojë mbështetja e nxënësve për zgjerimin e programeve të teknologjisë në shkolla.
“Mezi e kam pritur që të vija t’ju takoja, se jeni 3 mendje të zgjuara që pikërisht falë edhe programit të kodimit dhe tekonologjisë që kemi sjellë në shkollë, keni dalë të parët në një kompeticion të INTEL AI”,- tha Manastirliu.
Duke folur për projektin e tyre të përdorimit të inteligjencës artificiale në funksion të zgjidhjeve praktike, nxënësit janë shprehur optimistë për ta zgjeruar më tej idenë e tyre inovatore.
“Ideja për krijimin e ASRV AI ka lindur gjatë sezonit të verës të them të drejtën, për shkak të trafikut të krijuar si nga turistët, po ashtu edhe nga emigrantët. Na kanë ndihmuar shumë programet që kemi hyrë, por edhe me ndihmën e programit For Youth dhe mësuesve kemi mundur të konkurojmë dhe të fitojmë”,- tha Endri Zaganjori.
“Ne kemi menduar të përdorim një lloj inteligjence artificiale për të implementuar këtë lloj sistemi, pasi ndodh një shkelje, Komisariatit të Policisë i vjen informacioni direkt për vendin ku ka ndodhur ky incident, për targën e makinës dhe pastaj një video se çfarë ka ndodhur, ku polici mund të vendosë gjobë ose të shkojë vetë për të parë incidentin”, tha Ermi Tafili.
“Kjo ishte ideja, për ta përdorur në qytetin e Shkodrës dhe në qytetin e Tiranës, më vonë duke kaluar në gjithë Shqipërinë dhe për ta bërë globale si ide”,- tha Gerti Dermani.
Projekti fitues në INTEL AI Global Impact Festival, me titull “ASRV AI – System or Road Violations” i ideuar nga nxënësit e Gjimnazit “28 Nëntori”, synon t’i japë zgjidhje trafikut në Shkodër, duke vënë në përdorim inteligjencën artificiale.
Home Lajme Aktualitet Ministrja Manastirliu me fituesit e garës ndërkombëtare të inteligjencës artificiale: Zgjerojmë programin...