Namir Lapardhaja

Dikur thuhej se nuk ka “Kala” që nuk e marrin komunistët. Dhe Sali Berisha, si komunisti i fundit i ngelur në tranzicionin politik shqiptar, po tenton të rrëmbejë edhe “Kalanë” e fundit euro-atlantike në Shqipëri, Partinë Demokratike.

Një gjë të tillë ka zgjedhur këtë radhë ta realizojë nëpërmjet Gaz Bardhit, “Kalit të Trojës” në Partinë Demokratike, të cilin Lulzim Basha e mori nga hiçi, nga një burokrat i rëndomtë korridoreve të zyrave të shtetit, e mbështeti, e promovoi dhe e ngriti në nivele të larta të politikës, edhe pse kurrë nuk u mbështet nga baza demokrate.

“Foltorja” e Berishës nisi si një bunker antiamerikan buzë Lanës, prej nga çdo ditë goditen me artileri të rëndë SHBA-të, Mbretëria e Bashkuar dhe SPAK-u, si armiqtë e vërtetë të “demokracisë” që ka marrë përsipër të mbrojë Sali Berisha.

Shfaqja e shëmtuar që dha këtë të hënë Gaz Bardhi në Kuvendin e Shqipërisë, duke mosnjohur Partinë Demokratike është rrjedhojë e këtij bunkerizimi që ka marrë përsipër “Rithemelimi”, duke u bërë mburojë për korrupsionin e pushtetit të djeshëm dhe të sotëm. Për ta mbajtur llumin e politikës Rama-Berisha-Metaj në skenë dhe për të mos lënë qarkullimn normal të elitave në vend.

Retorika e sotme, mimika dhe gjestet e Bardhit, janë tregus i një frustracioni të madh së brendshmi.

Por ato tregojnë më së miri se çdo të thotë të mos kesh dinjitet dhe nder në raport me parimet, të vërtetat, akuzat, denoncimet e tua, të jesh peng i një të shkuare të errët dhe të panjohur nga askush.

Është njëlloj sikur të kesh ndërtuar një mal prej pështyme dhe në momentin e parë që të jepet mundësia, i gjithë ai mal të të zërë poshtë.

Të vihesh sot në shërbim të Sali Berishës, duke u bërë paterica e fundit e tij, është akti më antiopozitar, është shërbimi më i madh që mund t’i bëhet pushtetit, është gjesti më i poshtër që një politikan i ri, tek i cili është besuar dhe shpresuar shumë, mund të bëjë.

Se çfarë e mban peng Gaz Bardhin te Sali Berisha, kjo ngelet për t’u parë në të ardhmen.

Ajo që dihet me siguri është se Partia Demokratike do të mbijetojë, pavarësisht përpjekjeve për ta groposur dhe për ta shndërruar atë në një forcë kamikaze kundër interesave amerikane dhe evropiane në Rajon.

Mjerë Amerika, Britania e Madhe dhe gjithë Perëndimi, tani që Gaz Bardhi dhe çeta e tij pa parti u futun në bunkerin e Berishës në luftën “epike” kundër tyre!