Një ngjarje e rëndë tronditi mbrëmë Shkodrën. Valter Fierza, 33 vjeç u vra nga një komshi i tij. Vrasja ndodhi në fshatin Hot i Ri të njësisë Rrethina rreth orës 22:0 të së enjtes. Viktima u qëllua me automatik kallashnikov nga një person tashmë i identifikuar nga policia vendore e Shkodrës dhe i shpallur në kërkim.
I gjithë konflikti nisi mes vëllait të viktimës Kolë Fierza dhe autorit të dyshuar të vrasjes Klodian Mhilli, ndërsa i dyshuar është edhe vëllai i autorit si bashkëpunëtor në këtë ngjarje. Këta dy persona kanë debatuar me njëri-tjetrin për një parkimin e një automjeti në arë.
Fillimisht debati ka nisur në një lokal afër banesave lidhur me parkimin duke pretenduar se është bllokuar rruga. Autori i dyshuar i ka thënë viktimës se; ‘më ke bllokuar rrugën’, duke u konfliktuar tek lokali që shërbente edhe si bilardo, raporton BalkanWeb. Rreth një orë pas këtij debati, konflikti ka vijuar mes viktimës Valter Fierza dhe autorit të dyshuar. Pas debatit autori, që është edhe komshi me 33-vjeçarin ka marrë armë automatik kallashnikov dhe e ka qëlluar duke e lënë të vdekur në vend. Menjëherë pas të shtënave disa herë kanë dalë familjarët e viktimës të cilët e kanë gjetur të vdekur në mes të rrugës, afër makinës së tij. Pas vrasjes autori i dyshuar Klodian Mhilli është larguar në drejtim të paditur. Forca të shumta policie mbërritën në vendin e vrasjes bashkë me drejtorin e policisë vendore të Shkodrës Ervin Hodaj. Pas informacioneve të siguruara nga vëllai i viktimës Kolë Fierza dhe banorëve të tjerë është arritur që brenda një kohe të shkurtër të identifikohet autori Klodian Mhilli i cili u shpall në kërkim. Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi vrasja për të bërë të mundur gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar, raporton BalkanWeb.
Po ashtu në pika të ndryshme janë ngritur grupe kontrolli për të mos lejuar që autori të largohet. Shtetasi Valter Fierza që mbeti i vrarë mësohet se bënte një jetë të qetë dhe nuk njihej si person problematik në atë lagje. Viktima dhe autori i dyshuar janë komshinj prej shumë vitesh dhe njiheshin me njëri-tjetrin. Debati mes vëllait të viktimës dhe autorit ka qenë i çastit dhe sipas informacioneve të deri edhe më përpara palët kanë pasur debate për çështjen e parkimit të makinës duke akuzuar njëri tjetrin për bllokim rruge. Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.