Arrestimi i Fredi Belerit më 12 maj me akuzën e korrupsionit në zgjedhje dhe mbajtja e tij në paraburgim ka sjellë acarim në marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Mbajtja në burg për fituesin e zgjedhjeve të 14 majit është konfirmuar edhe nga gjykata e lartë e cila në vendimin e gjykatës së lartë të datës 25 korrik 2023, të zbardhur tashmë, trupi gjykues shpreh dyshimet se Fredi Beleri mund të dëmtonte provat.
Ky fakt bazohet në zhdukjen e pajisjes ku memorizohen regjistrimet e kamerave të sigurisë në lokalin në pronësi të Fredi Belerit në Himarë ku u bë edhe pagesa e 40 mijë lekëve për votat e 8 qytetarëve më 12 maj.
Sali Berisha: Fredi Beleri po hante një pjatë pilaf në 12 të natës kur u arrestua, ata thanë po shpërndante euro, ja flagranca
LEXO EDHE:
Sali Berisha: Fredi Beleri po hante një pjatë pilaf në 12 të natës kur u arrestua, ata thanë po shpërndante euro, ja flagranca
Duke qenë se Dhionisios Alfred Beleri është zgjedhur Kryetar Bashkia Himarë, ka mundësi për të kryer veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Nga procesverbali i datës 12.05.2023 në ambientet e lokalit, ku personat zhvillojnë takimet, ka pasur kamera të instaluara por nga kontrolli nuk është gjetur pajisja regjistruese dhe se ky fakt tregon se rreziku për të ndikuar në provat e çështjes është real.
Një tjetër argument, ka qenë rreziku që Beleri ti shmanget drejtësisë, siç bëri me dënimin e dhënë në vitin 2006, nga Gjykata e Vlorës me 3 vjet burg për thirrje urrejtjeje nacionaliste.
‘Ndaj Z. Dhionisios Alfred Beleri ekziston rreziku për t’iu shmangur procedimit penal apo të largohet. Edhe në gjykimin dhe dënimin e mëparshëm penal, nga i cili është deklaruar fajtor e dënuar përfundimisht me tre vjet burgim, i pandehuri i është shmangur për vite të tëra të ekzekutimit të vendimit të formës së prerë, duke u passjellë shuarjen e dënimit.’- thuhet në dosje.
Në vendim, citohet dëshmia e personit të identifikuar me emrin “Detari”, i cili denoncoi Belerin për pazare votash e më pas shërbeu si agjent i infiltruar për dokumentimin e rastit.
“Unë kam mësuar nga persona të ndryshëm, të cilët i njihja si miq të Fredi Belerit, i cili ishte kandidat për kryetar Bashkie në Himarë për partinë “Omonia”, u kishte ofruar disa miqve të mi lekë për blerjen e votës. Shtetasin Fredi Beleri e njihja prej 10 vitesh pasi unë kisha marrëdhënie biznesi me të, pasi vinte shpesh dhe blinte peshk tek unë për të furnizuar restorantin e tij. Nisur nga ky fakt unë kam shkuar për t’i çuar atij peshkun në vendin e quajtur “Potam” ku shtetasi Fredi Beleri qëndronte zakonisht. Vetë Fredi Beleri në bisedë e sipër më ka thënë vetë të gjeja vota në favor të tij dhe pasi t’i mblidhja të shkoja ta takoja dhe për çdo votë do të më jepte 50 euro për person dhe mua do të më ndihmonte për të bërë dokumente greke”.- thotë “Detari”, agjenti i infiltruar i dosjes “Beleri”.
Personi i identifikuar me kodin “Detari”, tregon se menjëherë pas takimit, shkoi në polici.
‘Unë i thashë se do t’i ktheja përgjigje dhe menjëherë kam ikur dhe duke parë se po kryhej një aktivitet i paligjshëm kam shkuar dhe kam takuar shefin e Komisariatit të Policisë Himarë E.A dhe i kam treguar të gjithë bisedën që kam bërë me Fredi Belerin. Unë konkretisht i kam treguar shefit të Komisariatit se Fredi Beleri më kishte ofruar lekë në këmbim të blerjes së votës dhe konkretisht ai më kishte kërkuar që unë të mblidhja vota në favor të tij dhe për këto vota ai do të më jepte nga 50 euro për secilën votë…”.- tregon “Detari”, agjenti i infiltruar i dosjes “Beleri”.
“Detari” kishte gjetur rreth 15 persona të interesuar për shitjen e votës, por më 12 maj, kur u takua me Alfred Kokaveshin, anëtar i shtabit të Belerit, të cilit i tregoi emrat, katër prej tyre u përjashtuan. Kokaveshi i tha se persona të tjerë kishin bërë marrëveshje me ata votues duke pranuar ti jepte nga 5 mijë lekë për votat e 8 personave, gjithsej 40 mijë lekë të reja. Pas dorëzimit të parave policia ndërhyri dhe arrestoi në flagrancë personat e përfshirë të cilëve u sekuestroi edhe listat e votuesve ku ndodheshin banorë të fshatrave të Himarës. Ata janë marrë në pyetje dhe kanë pranuar se persona të shtabit të Fredi Belerit u kishin kërkuar votën duke u premtuar nga 50 euro për person./Shqiptarja.com