Dy të rinj janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës, pasi kanosën një 63-vjeçar, për t’iu dhënë 3500 euro në këmbim të mospublikimit të disa videove të tij, të cilat ata dispononin.

Në pranga kanë rënë Ferik Fataj, dhe Anxhela Hamdiu.

“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës në DVP Tiranë, pas kallëzimit të marrë nga një 63-vjeçar, se dy shtetas e kanosnin vazhdimisht dhe i kërkonin para, që të mos i publikonin disa video që ata dispononin, menjëherë kanë organizuar punën për kapjen e autorëve.

Si rezultat u kapën dhe u arrestuan shtetasit F. F., 23 vjeç, dhe A. H., 24 vjeçe, të dy banues në Tiranë, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.

Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 2 të arrestuarit, në mënyrë të vazhdueshme, kanë kanosur 63-vjeçarin dhe i kanë kërkuar atij shumën 3500 euro, që të mos i publikonin disa video që ata dispononin.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Tiranë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.