Policia e Shtetit do të marrë nën përgjegjësi të gjitha portat e sigurisë në stadiumin ‘Air Albania’, pasi janë evidentuar raste që nëpër ndeshje janë futur persona që nuk kishin prerë fare bileta. Ministri i Brendshëm, Taulant Balla tha se të gjatë ndeshjes së kombëtares shqiptare me Poloninë për EURO 2024, janë konstatuar 12 mijë tentativa për bileta false. Balla bëri të qartë se të gjithë ata persona që kapen me biletë false përbëjnë vepër penale dhe do shoqërohen në polici e më pas do nisë hetimi.

“Pas analizës së eventit sportiv mes kombëtares dhe Polonisë, disa prej konkluzioneve që mendoj se janë me vend dhe duhet ët ndiqen nga FSHF dhe Policia e Shtetit. Po të njëjtat penalistët, të gjithë që kanë lejuar të hapet porta e sigurisë dhe të hynë persona të papajisur me bileta në ‘Air Albania, këtu duhen nxjerrë edhe përgjegjësitë e punonjësve të policisë të cilët duhet të kishin ndërhyrë. Porta e sigurisë do jenë përgjegjësi e Policisë së Shtetit. Gjatë ndeshjes me Poloninë kemi pasur 12 mijë tentativa për bileta false. Disponimi i një dokumenti të falsifikuar është vepër penale, nëse një qytetar kapet me biletë të falsifikuar do bëhet shoqërimi i tij dhe fillimi i një hetimi penal”, tha Balla.