Kanë përfunduar misionin e tyre 58 efektivë, 10 mjete nga Forcat e Armatosura dhe strukturat e mbrojtjes civile shqiptare që shkuan për të ndihmuar Greqinë në shuarjen e zjarreve.

Ata janë nisur sot drejt pikës së kalimit kufitar të Kapshticës. Ekipi shqiptar i erdhi në ndihmë autoriteteve greke për neutralizimin e zjarreve në një nga zonat më të prekura, si ajo e Alexandroupolit.

Fillimisht Greqia e refuzoi ndihmën e Shqipërisë, me pretendimin se nuk është më e nevojshme ndërhyrja me modulet tokësore për shkak se ato janë plotësuar nga vende të tjera, por në një njoftim të dytë pala greke lajmëronte se ka pranuar trupat e emergjencave civile shqiptare.

Për ndihmën nga Tirana reagoi edhe Kryeministri grek Mitotakis, i cili falenderoi Shqipërinë, duke përmendur në postim edhe Kryeministrin Edi Rama.

Vendi ynë, si pjesë e Mekanizmit Europian të Mbrojtjes Civile, dërgoi strukturat zjarrfikëse nga disa bashki të juglindjes në afërsi të shtetit fqinj në dy pikat kufitare Kapshticë dhe Kakavijë.