Ditën e djeshme, Serbët e Zveçanit u mblodhën për të ndezur qirinj për pjesëtarët e grupit terrorist që u vranë gjatë sulmit të organizuar ndaj policisë së Kosovës në fshatin Banjskë ku mbeti i vrarë efektivi kosovar, Afrim Bunjaku.

Mes tyre ishin dhe krerët e Listës Serbe, Igor Simiç dhe Goran Rakiç, ku ky i fundit në një moment është përkulur dhe ka puthur fotografinë e një prej terroristëve të vrarë të dielën në Kosovë.

Lista Serbe nga ana e saj ka deklaruar tre ditë zie për vdekjen e tre sulmuesve serbë. Sipas njoftimit, “në mjediset serbe në territorin e Kosovës do të anulohen të gjitha ngjarjet argëtuese të organizuara nga organet dhe institucionet e vetëqeverisjes lokale dhe flamujt e Republikës së Serbisë në të gjitha institucionet do të ulen në gjysmështizë”.

Të dielën e 24 shtatorit 2023 sulmuesit serbë i zunë pritë njësitët policor afër fshatit Banjskë në Zveçan dhe vranë policin Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit.