Kombëtarja e Shqipërisë pritet të ketë një yll të ri në skuadër për ndeshjet e tetorit. Bëhet fjalë për Meritan Shabanin, ish-lojtarin e Bayern Munich dhe Wolverhampton-it.
Shabani, i cili aktualisht luan për Grasshoppers në ligën elitë zvicerane të futbollit thuhet se do të thirret nga trajneri Sylvinho. Nuk dihet nëse 24-vjeçari do të thirret për ndeshjen delikate me Çekinë, e vlefshm epër kualifikueset e Euro 2024, apo për miqësoren ndaj Bullgarisë.
Sipas mediave, Shabani do të provojë të veshë fanellën kuqezi për herë të parë në karrierën e tij.
I lindur në Mynih, Shabani u rrit në akademinë e Bayern Munich, para se të nisë një aventurë te Bayern II. Ai debutoi zyrtarisht me ekipin më 27 tetor 2017 në barazimin 1–1 në shtëpi ndaj FV Illertissen, ndeshje e vlefshme për Regionalliga Bayern.
Më 28 prill 2018, Shabani debutoi në Bundesligë për ekipin e parë duke luajtur si titullar për 56 minuta para se të zëvendësohej nga Thiago Alcantara në fitoren 4–1 në shtëpi kundër Eintracht Frankfurt.
Më 9 maj 2018, ai firmosi kontratën e parë si profesionist me klubin, kontratë që do të zgjaste deri më 30 qershor 2020.
Por, pas një viti në ekipin e dytë të Bayern-it (2019), ai u transferua te Wolves U-21 për 1.5 milionë euro. Edhe te ekipi anglez, Shabani mori disa thirrje nga ekipi i parë, i cili luan në Premier League. Por, ai nuk mundi të debutonte në Premier League.
Meritani nuk mundi të linte gjurmë me skuadrën angleze për shkak të një dëmtimi të rëndë në gju dhe shkoi në huazim te VVV Venlo në Holandë. Pas gjysmë sezoni huazimi, në verën e 2022, Shabani kaloi te Grasshoppers, ku dhe aktivizohet aktualisht.
Në nivel ndërkombëtar, Shabani ka përfaqësuar Gjermaninë U-20, duke luajtur në Elite Round të 2018.
Duke qenë se 24-vjeçari nuk ka luajtur për ekipin e parë të Gjermanisë, nuk ka probleme që ai të përfaqësojë Shqipërinë.
Shabani aktivizohet si një mesfushor sulmues, rol të cilin aktualisht në kombëtaren kuqezi e mbulon Nedim Bajrami, pa pasur një alternativë që ta konkurrojë.
Pavarësisht se karriera e Shabanit nuk ka qenë ajo që ai priste, në fillimet e veta ai konsiderohej si një talentet më premtues të futbollit gjerman. Dhe, Sylvinho duket se ka një konsideratë për futbollistin, i cili mund të rikthehet në ditët e tij më të mira.