Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi mbrëmjen e së enjtes 1-1 në Pragë kundër Çekisë, për ndeshjen kualifikuese të grupit E të Euro 2024. Goli i Cerny për vendasit, u barazua nga “perla” e Nedim Bajramit në minutën e 66-të. Goditja e fantazistit ishte e vetmja në portë për kuqezinjtë, që paçka mungesës së gjuajtjeve në portë, patën efikasitetin 100 përqind.

Pas ndeshjes, “SofaScore” nxori edhe notat e lojtarëve, ku bie në sy se Elseid Hysaj “ngel në klasë”. Shkodrani me notën 6.4 është më pak i vlerësuari te tanët, ndërsa Jasir Asani me notën 7.2 është më i miri.

Lojtari i ndeshjes ishte kapiteni i çekëve, Tomas Soucek, që u vlerësua me notën 8,1. Pas katër ndeshjeve në grup, Çekia me tetë pikë është në krye, ndjekur nga Shqipëria me shtatë pikë dhe Polonia me gjashtë. Moldavia në vendin e katërt me pesë pikë, teksa mbyllin klasifikimin me një pikë Ishujt Faroe.