Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për “Asharq News”, ku ka vlerësuar vendet e Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit, ka komentuar tensionet me Iranin dhe ka shprehur optimizëm për rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
Duke folur me Adhwan Al-Ahmari, drejtuesi i emisionit Al-Madar të Asharq News, Rama shprehu admirimin e tij për liderët e Arabisë Saudite dhe shteteve të tjera anëtare të GCC, duke i përshkruar arritjet e tyre si “një burim frymëzimi”, raporton televizioni arab.
“Sa i përket Arabisë Saudite dhe vendeve të GCC, ne kemi marrëdhënie shumë të forta me Emiratet e Bashkuara Arabe, me Arabinë Saudite dhe me Kuvajtin dhe uroj që ato të bëhen më të forta”, tha Rama.
“Unë shoh me admirim atë që po ndodh atje, si në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Arabi, dhe i lavdëroj shumë liderët atje që po tregojnë vizion dhe po i ngrenë lart këto vende dhe po i bëjnë ato, në shumë mënyra, një burim frymëzimi”, deklaroi Rama.
“Ne mund të mos pajtohemi për disa gjëra, por kjo nuk është një arsye për të mos admiruar atë që ata po bëjnë dhe ne kemi shumë për të mësuar prej tyre. Dhe uroj që lidhja jonë të bëhet më e fortë dhe më e fortë”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama komentoi edhe tensionet mes Shqipërisë dhe Iranit, pas sulmit kibernetik në 15 korrik të vitit të kaluar.
“Duhej të vepronim ndaj Iranit sepse Irani po vepronte brutalisht kundër nesh”, tha Rama. “Ata synuan Shqipërinë me një sulm kibernetik shumë të egër”, shtoi ai.
“Pse? Sepse ne u kemi dhënë strehë disa mijëra iranianëve, jo për ta bërë Shqipërinë një platformë politike kundër regjimit, edhe pse ne nuk kemi asgjë që të na pëlqejë në atë regjim, jo për t’u dhënë atyre një platformë kundër regjimit, por për t’u dhënë atyre një strehë sepse jeta ishte në rrezik”, tha Rama.
Rama iu referua anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të Popullit kundër regjimit të Iranit, të njohur gjithashtu si Mojahedin-e-Khalq ose MEK, të cilët e zhvendosën selinë e tyre nga Iraku në Shqipëri në vitin 2016.
“Ne jemi një vend që nderojmë gjithmonë qeniet njerëzore dhe jetën njerëzore”, tha Rama.
“Irani nuk e kuptoi aq mirë, ose fare, dhe na sulmoi, kështu që ne duhej t’i ndërprenim marrëdhëniet diplomatike dhe t’i dëbonim ata”, shtoi ai.
Rama u shfaq i sigurt gjatë intervistës se kombi i tij do të pranohet së shpejti në bllokun 27-anëtarësh të BE-së.
“Unë jam gjithmonë optimist tragjikisht, nuk jam pesimist, por duhet të them se për mua, BE-ja është gjëja më magjepsëse në historinë botërore të politikës që njerëzimi ka krijuar”, tha ai për Al-Ahmari.
“Një vizion për paqen dhe sigurinë dhe një veprim për të bashkuar vendet me një histori të gjatë luftimi me njëri-tjetrin dhe për të vendosur interesat e përbashkëta për të ardhmen mbi mënyrat e veçanta të shikimit të historisë. Dhe nga ana tjetër, BE-ja ka krijuar një përvojë të jashtëzakonshme të funksionimit të shtetit, të funksionimit institucional, të ndarjes së vërtetë të pushteteve, të të drejtave, të respektimit të njerëzve dhe të barazisë para ligjit”, tha Rama.
“Nuk ka kërkesa joreale nga BE-ja, duhet të them. Ne duhet të bëjmë detyrat tona të shtëpisë dhe është shumë e rëndësishme të sigurohemi që të gjithë të kuptojnë se detyrat tona të shtëpisë nuk janë diçka që duhet të bëjmë për shkak të tyre ose për ta. Detyrat tona janë diçka që duhet të bëjmë për fëmijët tanë, për Shqipërinë e së nesërmes”, vijoi Rama.
“Ne mund të kemi shumë myslimanë në vendin tonë, Zoti i bekoftë. Dhe ne kemi gjithashtu shumë të krishterë. Dhe ne gjithashtu kemi shumë ateistë. Por gjëja e rëndësishme dhe ajo që ne e vlerësojmë më së shumti është se para së gjithash, ata janë të gjithë shqiptarë, janë të gjithë vëllezër e motra, dhe nuk kemi pasur kurrë probleme fetare dhe nuk kemi pasur kurrë konflikte dhe kemi jetuar gjithmonë bashkë. Dhe është shumë e zakonshme në vendin tonë që të krishterët festojnë Ramazanin dhe myslimanët festojnë Krishtlindjet. Kështu që unë do të thoja se jemi vërtet në një vend shumë të mirë dhe nuk ka hapësirë për teori (konspirative)”, u shpreh Rama.
Kryeministri shqiptar shtoi se Eruopa nuk e ka patur të lehtë të pranojë myslimanët.
“Së dyti, e di që në Evropë nuk ka gjithmonë, le të themi, një mënyrë të lehtë për të pranuar myslimanët. Dhe ndonjëherë, për fat të keq dhe të turpshëm, një zë këtu, një zë atje, një parti këtu, një parti atje, që e thotë pa turp. Por në përgjithësi, BE-ja nuk është një vend ku myslimanët shihen si rrezik apo si problem, dhe ata janë mjaft të mirëpritur dhe të integruar”, tha ai.
Rama tha se nuk beson që Bullgaria do të bëhet pengesë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Jo, kjo nuk është diçka e vërtetë, besoj. Ose të paktën nëse kjo është e vërtetë, është hera e parë që po dëgjoj për të, dhe do të isha shumë, shumë i befasuar”, tha Rama, transmeton voxnews.al. “Por me Bullgarinë kemi një marrëdhënie shumë miqësore dhe asnjëherë nuk kemi pasur problem. Po, ne kemi pasur disa debate në të kaluarën, por jo për Shqipërinë, për Maqedoninë e Veriut, që është fqinji ynë i dashur. Por jo, Bullgaria nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë për të kënaqur Rusinë dhe për të vënë veton ndaj integrimit të Shqipërisë në BE”, tha Rama.
Në mënyrë të ngjashme, Rama tha se sheh pak shanse që Greqia të pengojë rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, pavarësisht mosmarrëveshjeve të së kaluarës.
“Përkundrazi, Greqia ka qenë e mirë me ne, ka qenë mbështetëse për procesin tonë të integrimit”, tha Rama. “Dhe ka qindra mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi dhe janë të integruar, punojnë atje. Dhe këtu ka shumë grekë që vijnë për turizëm. Pra, ne jemi vende vëllazërore”, shtoi ai.
Rama tha se marrëdhëniet strategjike me Rusinë nuk i shërbenin interesave të Ballkanit në atë kohë dhe nuk u shërbejnë atyre sot, siç tregohet nga pushtimi rus në Ukrainë.
“Rusia e ka (zbuluar) veten plotësisht duke sulmuar brutalisht Ukrainën në dekadën e tretë të shekullit të 21-të në portat e BE-së, duke investuar në një luftë, duke vrarë njerëz dhe (duke e zbuluar) veten në një mënyrë që është vërtet tronditëse. Është një vizion tërësisht imperialist i botës”, tha Rama.
“Ajo që Rusia dëshiron në rajon, është e lehtë për t’u kuptuar dhe ne nuk jemi të interesuar të kemi ndonjë lloj marrëdhënieje thelbësore me Rusinë për shkak të historisë sonë, për mirë apo për keq. Sigurisht që nuk është e njëjta Rusi (tani). Por nuk është shumë ndryshe dhe kështu ne nuk jemi të interesuar. Edhe ata e kanë kuptuar me kohë se Shqipëria nuk është një fushë për të mbjellë farën e ndarjes me Evropën, me Perëndimin”, u shpreh Rama.
Në vend të kësaj, Shqipëria ka prioritet lidhjet me vendet perëndimore, tha ai.
“Ne jemi plotësisht të përkushtuar ndaj komunitetit euroatlantik, sepse historia na ka dhënë disa mësime shumë të rëndësishme dhe është vendi më i mirë për të qenë për arsye paqeje dhe sigurie,” shtoi ai.