Cila do të jetë marrëdhënia me klubet? Është një nga pyetjet që i është bërë sot në konferencën për shtyp trajnerit të Italisë, Luciano Spalletti, i cili gjatë konferencës së prezantimit u përgjigj kështu:

“Unë i di vështirësitë e klubeve, por pastaj klubet duhet ta dinë se e mira e kombëtares është e mira e të gjithë futbollit italian. Nuk duhet të jemi kurrë në mosmarrëveshje. Do të përpiqem të kem një marrëdhënie të vazhdueshme me trajnerët e klubeve, tashmë kam folur me njërin prej tyre.

Ka disa lojtarë që nuk i kam thirrur, por ata e meritonin. Jo të gjithë mund të thirren, pastaj duhet të shohim se në cilin ekip luajnë, në çfarë pozicioni.

Skautimi i talenteve nëpër botë? Nuk mjafton të dini ku keni lindur për të zbuluar fisin kujt i përkisni, por ku kanë vdekur paraardhësit tuaj, thotë një shprehje indiane. Kështu që ne duhet të shkojmë të shohim se çfarë ofrojnë edhe pjesët e tjera të botës”.

Luciano Spalletti dhe penaliteti që do t’i paguhet Napolit, nëse ai humbet mosmarrëveshjen e arbitrazhit në muajt e ardhshëm. Trajneri i ri i Italisë foli edhe për këtë gjatë konferencës për shtyp të prezantimit:

“Për sa i përket klauzolës, asgjë nuk do të më shtyjë të tërhiqem nga mendimi se kam marrë vendimin e duhur. Ka disa gjëra që duhet t’i rregullojmë, avokatët janë duke punuar, shpresoj që sa më shpejt të arrihet zgjidhja më e mirë për të dyja palët”.

Më pas për eksperiencën te Napoli ai shtoi: “Them se ishte një eksperiencë e mrekullueshme, ishte diçka dërrmuese, ndoshta më shumë se ç’mund të pritej. Është një kujtim i bukur për mua”.