Në kuadër të takimeve, për të prezantuar elementë të Paketës së Sigurisë në Shkolla, ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe kryetari i Bashkisë Kamëz Rakip Suli ishin në shkollën “Ibrahim Rugova”.
Balla u kërkoi nxënësve e veçanërisht Senatit, të bëhen më bashkëpunues me Policinë duke komunikuar më shumë me ta, e ndarë shqetësime e informacion.
“Me kryetarin e Bashkisë Kamëz, Ministrinë e Arsimit dhe rolin e veçantë të Policisë së Shtetit duam të krijojmë më shumë siguri në shkolla dhe perimetrin që i rrethon. Në këtë përpjekje të përbashkët edhe Senati i Shkollës ka rol të rëndësishëm për të krijuar bashkëpunim mes oficerit të sigurisë, mësuesit. Policia e Shtetit është në këtë pozicion për të kryer detyrën me përpikmëri. Prindërit tuaj paguajnë taksa, që ne të bëjmë detyrën për të garantuar sigurinë tuaj, u kemi dhënë besën, ta bëjmë më mirë këtë punë sesa deri tani. Senati duhet të marrë vendim, që do bashkëpunojë me Policinë e Shtetit që asnjë prej nxënësve të mos bjerë pre e rrjeteve të trafikantëve.
Punonjësit e policisë janë në detyrë të garantojnë sigurinë tuaj. Kemi hyrë në fazë të re, me Paketën e Sigurisë në shkolla. Edhe me ju, nxënësit duam të kemi bashkëpunim më të mirë”, u shpreh ministri i Brendshëm.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Muhamet Rrumbullaku u kërkoi nxënësve t’i besojnë më tepër Policisë së Shtetit.