Nga Alba Malltezi
Pamjet e një përfituesi, ngacmuesi në zyrat e shtetit ndaj një gruaje, nëne, që me qëllim apo pa qëllim, me mision apo pa mision, u shpërndanë tronditëse në opinionin publik, nuk mjaftuan që politikisht të kalonin në avantazh anën tjetër të politikës në pushtet. Atë të Sali Berishës.
Me sa duket në Shqipëri, është tashmë shumë e qartë, nga Veriu në Jug, nga Lindja në Perëndim, se ka diçka më të zymtë, më të jashtëligjshme, më pa etike sa gjithçka e imagjinueshme dhe e paimagjinueshme që mund të ndodhë në Shqipëri. Ai është Sali Berisha dhe rrethi i ngushtë i besnikëve që i ka mbetur. Besnikë të lidhur ngushtësisht me interesat familjare dhe pasurore të tij, ose shqiptarë, që besojnë verbërisht ende në fjalët e shqiptarit më të diskretituar botërisht.
Në të vërtetë, nuk ka më asgjë të turpshme, të gënjeshtërt, intrigante, të pisët, të mbrapshtë, të jashtëligjshme, që politikani Sali Berisha nuk e ka bërë në Shqipëri. Duke nisur nga fantazitë e tij erotike ndaj kundërshtarëve, nga fantazitë pasurore që prej vetes i projekton lehtësisht tek kushdo që e kundërshton, tek faktet tronditëse në minimin e shtetformimit, drejtësisë, ekonomisë, interesave kombëtare.
Prandaj, shqiptarët anembanë, që nga Tropoja e tij, te Kukësi, te Shkodra demokrate, nuk kanë më nevojë aspak për dikë që t’ua mbushë mendjen. E kanë parë të gjithë Sali Berishën në të gjitha format, në të gjitha ngjyrat, me gjithë dritëhijet. Nuk ka politikan në Shqipëri që të mos e ketë provuar deri në ekstrem zemergjerësinë dhe faljen e shqiptarëve, sa ai.
Dhe nuk ka asnjë shqiptar tjetër që këtë zemergjerësi, në vend që ta vendoste në piedestal, në vend që ta ruante në kasafortën e artë të pleqërisë, ta ketë shkelur, copëtuar, pështyrë, zhgarravitur, ulëritur, më shumë dhe me keq se ai.
Kukësi, siç nuk mendohej, ja dha postin e kryebashkiakut një pasuesi të Safet Gjicit, duke treguar se mbylli sytë, veshët dhe hundët ndaj një ngjarjeje të papëlqyeshme për qytetin. Por tregoi gjithashtu se do të kishte qene akoma më keq për të, nëse në vend të Gjicit, të merrte çelësat në dorë, një njeri i Saliut.