Banorët e qytetit të shkatërruar libian të Derna-s kërkuan dëshpërimisht për të afërmit e zhdukur ndërsa punonjësit e shpëtimit bënë thirrje për më shumë çanta për trupat e viktimave, pas përmbytjes katastrofike që i mori jetën mijëra njerëz.
Një pjesë e qytetit mesdhetar u shkatërrua nga një stuhi e fuqishme që çoi në shpërthimin e dy digave mbi qytet.
Ndërtesa shumëkatëshe u shembën teksa familjet po flinin gjumë në banesa.
Kryetari i bashkisë së Derna, Abdulmenam al-Ghaithi tha për televizionin Al Arabiya se numri i parashikuar i vdekjeve në qytet mund të arrijë 18.000 deri 20.000 viktima bazuar në shkatërrimet që kanë sjellë përmbytjet.
Ndërkohë plazhi ishte i mbushur me rroba, lodra, mobilje, këpucë dhe sende të tjera të shpërndara nga shtëpitë nga vërshimi i përroit.
Rrugët ishin të mbuluara me baltë, pemët të shkulura dhe qindra makina të shkatërruara. Një makinë është futur në ballkonin e katit të dytë të një pallati të shkatërruar.
Ekipet e shpëtimit kanë mbërritur nga Egjipti, Tunizia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Turqia dhe Katari, tha kryebashkiaku i Derna, al-Ghaithi.
“Kam frikë se qyteti do të infektohet me një epidemi për shkak të numrit të madh të trupave nën rrënoja dhe në ujë”, tha ai.