Numri i viktimave në qytetin bregdetar Derna të Libisë ka shkuar në 11.300 ndërsa kërkimet vazhdojnë për gjetjen e të mbijetuarve pas përmbytjeve masive të shkaktuara nga çarja e dy digave pas shirave të dendura.
Zyrtarët vlerësojnë se rreth 30,000 njerëz kanë mbetur të pastrehë. Politikanët kërkojnë një hetim zyrtar për përmbytjet.
Marie el-Drese, sekretarja e përgjithshme e Gjysmëhënës së Kuqe të Libisë, tha për Associated Press se 10.100 njerëz të tjerë raportohen të zhdukur në qytetin mesdhetar, pasi dy diga shpërthyen të dielën gjatë një stuhie të fortë uragani, raporton BBC.
Shumë banorë kanë fajësuar infrastrukturën e dobët. OKB-ja ka kritikuar gjithashtu sistemin e alarmit të vendit. Kreu i Organizatës Botërore Meteorologjike tha se shumica e viktimave mund të ishin shmangur nëse banorët do të ishin paralajmëruar dhe do t’u jepej kohë për të shpëtuar.
Qendra Kombëtare Meteorologjike e Libisë tha gjithashtu se ky është një rekord i ri i reshjeve. Rick Brennan, drejtori i urgjencës i OBSH-së për rajonin e Mesdheut Lindor që përfshin Libinë, tha se shumë objekte shëndetësore nuk kishin funksionuar mirë edhe para stuhisë.
“Një pjesë e madhe e atyre objekteve shëndetësore kanë infrastrukturë të dobët, mjete shëndetësore që nuk funksionojnë siç duhet dhe mungesë stafi”, tha ai.
OBSH, tha ai, ishte në një pozicion për të udhëhequr përpjekjet bashkëpunuese të agjencive të tjera të ndihmës, por kjo po vonohej për shkak të dy qeverive të Libisë në perëndim dhe në lindje.
Stuhia vdekjeprurëse në Derna mbrëmjen e së dielës, që u mori jetën mijëra njerëzve, vuri në pah dobësitë e vendit të pasur me naftë që është në konflikt që pas kryengritjes së vitit 2011 që rrëzoi diktatorin Moammar Gadafi.
Stuhia Daniel shkaktoi përmbytje vdekjeprurëse në komunitetet në të gjithë Libinë lindore, por më e goditura ishte Derna. Ndërsa stuhia goditi bregdetin, banorët thanë se dëgjuan shpërthime të forta kur dy diga jashtë qytetit u shembën.
Përmbytjet shpërthyen në Wadi Derna, një luginë që përshkon qytetin, duke u përplasur nëpër ndërtesa dhe duke i hedhur njerëzit në det.