Ish-kryeministri dhe lideri historik i Partisë Socialiste, Fatos Nano feston sot ditëlindjen. Ai lindi më 16 shtator 1952 dhe u rrit në rrugën “Hoxha Tahsim” në Tiranë dhe sot mbush 71 vjeç.

Nano po kalon ditë të vështira në spital, për shkak të komplikacioneve shëndetësore në mushkëri që kanë nisur që në periudhën e Covid-19. Prej 29 gushtit, ai ndodhet i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Nano vuan nga një sëmundje Pulmonare Obstruktive Kronike e quajtur ndryshe si SPOK. Kjo patologji që prek mushkëritë dhe karakterizohet nga një ngushtim i rrugëve respiratore me pasojë kryesore vështirësinë e furnizimit me oksigjen. Nano u shoqërua me ambulancë nga shtëpia e tij për në spital të enjten e 24 gushtit 2023, pasi kishte pasur probleme me frymëmarrjen. Ai u nderua nga Kryeministri Edi Rama me medaljen e mirënjohjes publike.

Nano është një prej personazhëve më të rëndësishëm të Shqipërisë pluraliste. Ai ka qenë katër herë kryeministër i vendit, i dyti në historinë 100 vjeçare të shtetit shqiptar pas Mehmet Shehut. Më konkretisht, në qeverinë që përgatiti zgjedhjet pluraliste të vitit 1991, në qeverinë e fituar nga Partia e Punës për tre muaj më 1992, në qeverinë e vitit 1997 dhe në qeverinë e vitit 2002 deri në 2005-ën. Nano ka qenë kryetar i PS-së për 13 vjet. Ka dhënë dorëheqjen tri herë si kryeministër dhe dy herë si kryetar i Partisë Socialiste, duke themeluar “institucionin” e dorëheqjes në Shqipëri, por edhe duke vënë një rekord në këtë fushë.