Kombëtarja shqiptare e futbollit fitoi 2-0 kundër Polonisë dhe siguroi vendin e parë në grupin E kualifikues të Euro 2024. Tanimë sipas një prognoze të “UEFA Rankings”, kuqezinjtë kanë 90.25 përqind shanse për të marrë pjesë në “Gjermani 2024”.
Nëse Shqipëria siguron kalimin në fazën finale të grupeve, atëherë në adresë të FSHF-së do shkonin 9.25 milionë euro, shifër kjo që UEFA jep për çdo ekip që është mes 32 më të mirave. Në total, për ekipet pjesëmarrëse do të shpërndahen 371 milionë euro, ndërkohë gjatë edicionit të mëparshëm kjo shifër ishte 301 milionë, kurse në krahasim me vitin 2016, kur Shqipëria mori pjesë në Europianin e Francës, kjo shifër është rritur me 23 përqind. Veç prestigjit, emocionit të tifozëve dhe rritjes në klasifikimin e UEFA-s, kuqezinjtë do arkëtonin edhe shumën e majme që do ndihmonte futbollin shqiptar.
Shqipëria për kualifikueset e Grupit E ka edhe tre ndeshje për të zhvilluar. Në 12 tetor në “Air Albania” luajmë kundër Çekisë, ndërsa në 17 nëntor udhëtojmë për në Moldavi. Kuqezinjtë mbyllin garën në 20 nëntor kundër Ishujve Faroe në Tiranë. Me tre ndeshje të mbetura, kualifikimin në lojë, vendin e parë dhe dy duele në shtëpi, duket se Kombëtarja ka nisur rezervimin e hotelit në Gjermani.
Shifrat që shpërndahen nga UEFA për Europianin 2024:
9.25 milionë euro për çdo ekip pjesëmarrës në grupe
1.5 milionë euro për çdo fitore dhe 750 mijë euro për çdo barazim
2 milionë euro për ekipin që kalon në fazën e 1/16
3.25 milionë euro për çdo ekip që kalon në çerekfinale
5 milionë euro për çdo ekip gjysmëfinalist
7 milionë euro për finalistin që humbet
10 milionë euro për fituesin e Euro 2024