Nga Roland Qafoku
Ka një interes të shtuar të vendimeve që pritet të merren sot pasdite në Asamblenë e Partisë Socialiste. Jo vetëm restaurimet që kryetari i PS dhe kryeministri Edi Rama pritet të bëjë në parti dhe në qeveri, por më shumë të disa pritshmërive, mes tyre më kryesorja: PS dhe qeveria e re do jenë përfundimisht të shkëputura nga njerëz të korruptuar dhe të lidhur me krimin, apo kjo parti do të vijojë qeverisjen me sloganin “secili ka përgjegjësinë e vetë personale”, ndërsa përgjegjësia morale do të vijojë të fluturojë diku mbi re. Në kushtet e një opozite të shpartalluar dhe pa ndikim, duhet që pavarësisht konsumimit në 10 vite qeverisje, PS duhet të ketë maturinë të vetëpastrohet nga fenomene që po ndikojnë negativisht për vendin. Për të arritur këtë janë të paktën 10 pritshmëri që vetë anëtarësia e kësaj partie, por veçanërisht opinioni publik pret nga vendimet që do të merren.
Së pari, vetë Asambleja duhet të jetë e tillë që zyrtarisht PS të bëjë një mea culpa për të gjitha zhvillimet e fundit që e kanë shoqëruar këtë parti në raport me drejtësinë. Që nga kryetari Rama duhet të kërkojë falje që në disa poste të rëndësishme shtetërore ka emëruar
persona me të kaluar të dyshimtë. Kanë qenë ata që jo vetëm janë bërë pjesë e qeverisjes, por kanë qenë nga më të besuarit dhe bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit. Arrestimet e disa kryebashkiakëve, arrestimi dhe hetimi i disa ministrave deri te zëvendëskryeministri, kanë bërë që PS të ketë në duart e drejtësisë një skuadrilje personazhesh me pushtet të rëndësishëm politik. Kjo e ka ulur jo pak besimin te qeverisja dhe si të tillë ky është momenti që PS të shkëputet përfundimisht nga këta personazhe, duke bërë një distancim të sinqertë dhe pa justifikime bajate.
Së dyti, Asambleja e PS duhet të përfshijë për herë të parë në diskutime live edhe ata që kanë mendimin kundër, që mendojnë ndryshe nga kryetari dhe më e rëndësishme që kanë kurajon të bëjnë hapur kritika ndaj qeverisjes së zotit Rama. Nëse në këtë asamble zëra si Klodeta Dibra, Petro Koçi dhe Erjon Braçe nuk zënë vend, atëherë PS përfundimisht është atrofizuar nga demokracia. Ajo është kthyer në një repart ushtarak ku të gjithë dëgjojnë “komandantin”, i kanë sytë te “komandanti” dhe askujt nuk i lejohet të mendojë ndryshe nga komandanti. Asambleja e sotme e PS duhet të tregojë se është vazhduese e modelit demokratik brenda partisë që arriti dhe zhvilloi ish-kryetari i saj Fatos Nano. Kryesocialisti dhe pasardhësi i tij, Edi Rama, bëri shumë mirë që e nderoi liderin historik me “Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike” teksa po lufton me jetën, por paralelisht me këtë nderim, të bëjë edhe ndonjë veprim që i ngjan demokracisë që zhvilloi Fatos Nano në këtë parti.
Së treti, Asambleja duhet të nxjerrë qartë konkluzionin se karta morale që rënë jo pak kohët e fundit në këtë parti duhet të jenë baza e qeverisjes. Rritja e nivelit të korrupsionit e vërtetuar kjo nga çështjet e SPAK ka bërë që morali në qeverisje të jetë një gjë e huaj. Si e tillë, Asambleja duhet të marrë vendime pikërisht duke patur në thelb të saj kartën morale. Ndryshe vendimet do të jenë fasadë e të shkuarës.
Së katërti, a do bëhen ndryshimet në qeveri mbi bazën e integritetit që disponon secili ministër apo thjesht do jenë zëvendësime numrash? Opinioni publik pret që kryeministri Edi Rama të largojë nga qeveria çdo ministër të përfolur dhe që ka të paktën një thirrje në SPAK si i implikuar në një aferë korruptive. Nëse nuk e bënë këtë, çdo ndryshim tjetër do të mendohet si një fasadë dhe ndërrim emrash në mënyrë që disa të përfolur do të zëvendësohen me të tjerë që do të përfliten edhe ata.
Së pesti, janë disa emra në qeveri që opinioni publik mezi pret që të mos jenë më pjesë e kabinetit. Të anatemuar në opinionin public, por edhe në vetë PS ata nuk duhet të konfirmohen më ministra. Ne nuk mund të spekulojmë dhe të themi se Edi Rama do të largojë këtë apo atë emër. Por kuptojmë se cilët ministra mund të rrezikojnë të largohen sot nga ato që janë ndodhur. Kështu, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj ka gjasa që nuk do të jetë më në atë detyrë. Këtu futet mosmarrëveshja e saj me zëvendëskryeministren Belinda Balluku, aq sa vetëm një muaj më parë nga një portal afër qeverisë u dha lajmi se ajo ishte shkarkuar. Mendohet gjithashtu se ministrja për Evropën dhe për Punët e Jashtme Olta Xhaçka më shumë gjasa nuk do të jetë më në atë detyrë. E përfolur dhe e anatemaur nga opozita për afera të bashkëshortit të saj si investitor strategjik, do ishte mëse normale që Rama të mos e ketë më në kabinet. Një tjetër ministër që besohet nuk do jetë më është Elva Margariti si ministre e Kulturës. E vërteta është se zonja sharmante ka bërë jo pak punë të mira në drejtim të ndërtimit të objekteve kulturore, por ka lënë shumë për të dëshiruar lidhur me çështjen e Butrintit. Jo vetëm që nuk ka ditur ta mbrojë projektin e ri, por i ka shtuar edhe më shumë dyshimet teksa sot historia e një prej zbulimeve më me vlerë arkeologjike në Shqipëri na paraqitet si joshqiptare dhe kjo është një skandal me pasoja të rënda për ne.
Një ministre tjetër që rrezikon të mos jetë më në kabinet është Frida Krifca e Bujqësisë. Jo vetëm akuzat e opozitës, por të marrim vetëm akuzat nga brenda PS-së nga deputeti dhe ish-zëvendëskryeministri Erjon Braçe janë të mjaftueshme që ajo të mos jetë më në krye të atij dikasteri. Ndërkaq besohet që edhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro nuk do të jetë më pjesë e kabinetit. Ndonëse nuk është pjesë e dosjeve të drejtësisë, Kumbaro nuk ka ndonjë performancë të denjë për këtë dikaster që tashmë është nga më të rëndësishmit në qeveri. Është bërë burim humori fakti që Kumbaro e paraqet si meritë personale të saj faktin që është rritur ndjeshëm numri i turistëve të huaj në një vit kalendarik dhe mjafton ky delirim për të kuptuar se si funksionon kjo ministri. Më tej, ministret Edona Bilali dhe Bora Muzhaqi me gjithë respektin si zonja nuk janë dhënë dhe nuk janë formalisht të denja për të qenë pjesë e kabinetit. Për këtë ka vetëm një arsye të vogël; A ua di njeri emrin nëse do t’i pyesi rastësisht në rrugë? Kaq mjafton që Rama të vendosë në vend të tyre emra që kanë një karrierë politike dhe me vlera të treguara në punët që kanë bërë në profesionin që kanë.
Së gjashti, emrat e rinj që do të jenë ministra do jenë zgjedhur mbi bazë kriteresh integriteti dhe profesionalë, apo thjesht disa “no name” dhe “unknown” që thjesht janë në shijet e kryeministrit. Në vitin e 11-të të qeverisjes, Ramës nuk i falet të thotë që ne nuk i vendosim ata që i emërojmë në një sallë torturash për të kuptuar nëse ata do të tundohen ose jo përballë parave që do menaxhojnë. Sigurisht që shoqëria njeh edhe raste që një i ndershëm çmendet kur i dalin përpara tufa parash, por nuk është ky rasti. Nuk janë të pakta rastet që janë emëruar ministra dhe drejtorë të rëndësishëm pikërisht ata që e gjithë dynjaja i njeh si xhonglerë parash të pista, që kanë futur në xhepat e tyre paratë e shtetit dhe që kanë vënë pasuri të dyshimtë. Pikërisht ky soj nuk duhet të emërohet kurrë në një post publik. Në fakt kryeministri e ka bërë dhe për këtë ka përgjegjësinë në këto emërime. Nëse Rama emëron burra dhe gra që në karrierën e tyre nuk janë përfolur asnjëherë për afera dhe korrupsion që nuk e kanë ndyrë dorën në buxhetin e shtetit atëherë Rama ka të drejtën e Zotit të thotë që x person u çmend. Por nëse Rama emëron një burrë apo një grua të përfolur për afera dhe pas këtij emërimi ky personazh bëhet personazh i SPAK ka që çke me të përgjegjësi.
Së shtati, emrat e rinj në qeveri nuk duhet të jenë thjesht për të patur një numër formal të lartë zonjash në krahasim me burrat, por nga vlera që bartin. Një nga risitë e të tre qeverive të Edi Ramës ka qenë numri i lartë i zonjave. Nuk ka ndodhur më parë dhe zor se edhe mund të ndodhë në të ardhmen që në një kabinet qeveritar të jenë vetëm 3 burra dhe 13 zonja si ky aktuali. Por përpos vlerave që disa zonja bartin, mes tyre ka edhe që janë vetëm për numër. Jemi të bindur që të paktën 4-5 prej ministreve janë pa asnjë vlerë, sepse përpara se të ishin ministre nuk kanë spikatur në asnjë punë në profesionin e tyre. Ndërkaq, gjatë kohës që janë ministre nuk i kemi parë as të flasin e jo me të bëjnë ndonjë punë të hajrit. Si mund të jetë dikush ministër që për të cilin vetë kryeministri ka frikë se mos këput ndonjë kopaçe kur flet përballë gazetarëve?
Së teti, ndryshimet në sekretariatin e Partisë Socialiste duhet të jenë të tilla jo me një të rënë të lapsit. Ato duhet të jenë diskutuara më parë, apo mund të diskutohen edhe në Asamble dhe më pas të hidhen në votim. Ne jemi dëshmitarë që disa syresh e kanë mësuar që janë sekretar të PS vetëm kur kanë dëgjuar nga goja e Ramës vendimin. Por ka një etikë minimale që çdokush mund të afrohet dhe t’i jepet për këtë detyrë. Kjo mënyrë do të sjellë që sekretarët të vendosen persona që bazohen në vlera dhe jo mbi bazën e një kushti që vetëm Rama e di. Dhe ironia është se pastaj Rama ankohet përse sekretariati nuk ka punuar mirë dhe për këtë arsye e shkrin brenda ditës.
Së nënti, bashkë me ndryshimet në kabinetin qeveritare dhe në sekretariat, Edi Rama duhet të bëjë publik se në vijim do të shkarkojë dhe zëvendësojë një numër jo të vogël drejtorësh të institucioneve shtetërore dhe publike për të njëjtat arsye si ministrat. Nuk mund të vijojë në këtë formë qeverisja e PS që merr vëmendje publike vetëm ministri dhe drejtorët vijojnë të menaxhojnë pashallëkun e tyre. Kryeministri Rama duhet ta ndryshojë këtë mënyrë sepse opinioni publik e di shumë mirë që disa drejtorë janë shumë herë më përgjegjës, më të inkriminuar dhe më të korruptuar edhe se sa ministrat. Madje ka drejtorë që as nuk i pyesin fare ministrat dhe kjo nuk është rast sporadik. Kryeministri Rama duhet të shkarkojë menëjherë të gjithë ata drejtorë që kanë qenë dhe janë pjesë e drejtësisë dhe si të tillë, janë kthyer në turpin e kësaj mazhorance. Dhe pavarësisht këtij statusi, me arrogancë dhe prepotencë dhe me manipulimin se kanë mbështetjen e vetë Edi Ramës vijojnë të drejtojnë sikur ta kishin institucionin pronë e babait duke krijuar terror në administratë. Ndërhyrja te ky soj do të ishte në më të mirë të qeverisjes.
Së dhjeti, Amambleja e PS duhet të marrë vendime të duhura për të lënë afate kohore publike për të githa dikasteret, por edhe strukturat politike të kësaj partie. Mjatja e punës me afate kohore do ishte vlerësimi apo kritika më e mirë për çdo të emëruar të ri. Në këtë mënyrë edhe bilanci i punës së qeverisë do të ishte më i dukshëm.