Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi pas takimit në Bruksel se i vetmi që shkoi me propozim të shkruar në tavolinë ishte ai, por një ditë më vonë Kurti u përgënjeshtrua kur mediat publikuan dokument-propozimin e shkruar të Bashkimit Evropian.
I detajuar se si duhet të vazhdohet përpara, dokumenti ka të renditura nenet dhe shpjegimin se si parashihet implementimi.
Ky dokument, sipas BE-së, është pranuar nga Vuçiçi, por është refuzuar nga Kurti, i cili pas takimit ka thënë se qëndrimet e Serbisë janë bërë qëndrime të BE-së. Fillimisht u publikua nga Radio Evropa e Lirë duke u thirru në burime brenda Bashkimit Evropian.
Plani për implementimin e sekuencuar të Marrëveshjes Bazë, i publikuar nga mediat, deri më tani nuk është mohuar nga ndonjë zyrtar i Bashkimit Evropian.
Dokumenti përmend që zbatimi do të niste me “Hapjen e procesit negociues për Statutin e instrumenteve për vetëmenaxhim të serbëve në Kosovë“, që nënkupton Asociacionin e Komunave.
Paralelisht Serbia nuk do të insistonte më në përdorimin e asteriskut dhe fusnotës apo pjesëmarrjen e UNMIK-ut në forumet rajonale. Pastaj do të përmbylleshin negociatat për “Statutin e instrumenteve të vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës”.
Hap i radhës, sipas këtij propozimi të BE-së, do të ishte që palët të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të njëra-tjetrës dhe do të përmbaheshin nga çdo formë e dhunës, apo nxitjes së dhunës.
Sipas BE-së, më pas do të vendoseshin “instrumentet e vetëmenaxhimit për serbët e Kosovës“ dhe paralelisht do të ndërpriteshin strukturat e administruara nga Serbia në Kosovë dhe transformimi i tyre nën instrumentet e vetëmenaxhimit.
Kjo do të pasohej nga njohja e dokumenteve dhe simboleve kombëtare.
Si hap i radhës do të ishte marrëveshja për një udhërrëfyes të obligueshëm për zbatimin e obligimeve që dalin nga marrëveshjet nga e kaluara në dialog.
Formalizimi i statutit të Kishës Ortodokse të Serbisë në Kosovë do ta përbënte hapin e radhës, pasuar nga aranzhimet praktike për shkëmbimin e misioneve të përhershme.
Serbia, pas kësaj, nuk do të kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare, ndërsa Kosova do të kompletonte procedurën e brendshme për mbrojtjen e objekteve kulturore dhe fetare serbe.
Po ashtu, sipas propozimit të BE-së, do të vendosej një grup i veçantë i punës, i udhëhequr nga Bashkimi Evropian, për implementimin e neneve të marrëveshjes.
Kurse, pas kësaj, do të pasonte organizimi i konferencës së donatorëve dhe përgatitja e projekteve nga palët.
Në fund, sipas këtij propozimi të BE-së, do të nisnin negociatat për marrëveshjen ligjërisht obliguese për normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve.