Nga Mero Baze/
Presioni në rritje nga brenda “Foltores” mbi Berishën për të regjistruar një parti të re është rritur, ndërsa vendosmëria e Berishës për të mos e hedhur atë hap vazhdon të jetë e njëjtë. Nuk është arsye fuqia e logos apo emrit të PD. Vetë Berisha e ka provuar në dy gara, në atë të 6 Marsit dhe 14 majit, se logoja për të nuk ka rëndësi, pasi ai e ka marrë përsëri shumicën e opozitës. Pjesën tjetër që e humbet nuk e ka prej logos, por prej distancës që ajo pjesë e opozitës ka me Berishën. Pra në një farë mënyre logo është vet Berisha.
Kështu që arsyetimi se na duhet logo e PD se humbasim vota, është alibi. Logoja e PD ishte më pak e votuara më 14 Maj edhe për shkak se nuk dolën në fushatë, por dhe për shkak se opozita në shumicë ka shkuar pas Berishës. Berisha e fsheh arsyen e vërtet përse nuk do një logo të re, dhe arsyeja është Ilir Meta.
Nëse Berisha regjistron një parti të re, atij do ti duhet të ndahet me letra me Ilir Metën dhe secili të ketë partinë e tij. Kjo e rrit në maksimum mundësinë që Ilir Meta mund ti ik nga koalicioni dhe ti bëhet me palën tjetër ose të rrije më vete, çka është pushkatim politik për Berishën.
Duke mos regjistruar logo të re, duke qëndruar si viktimë e Edi Ramës dhe Lulzim Bashës “që e kanë lënë pa logo dhe vulë”, Berisha në fakt ka gjetur një alibi të qëndrojë me Ilir Metën dhe ta mbajë atë si një zot shtëpie me letra. Nga kjo aleancë Meta fiton shumë pasi përveçse ndihmon Berishën, ai vet merr fuqinë e një partie të madhe dhe po fiton komisionet në shumicë në emër të opozitës. Duke qenë se a përfaqëson formalisht opozitën, ka dhe një rritje të elektoratit opozitar që lëviz në drejtim të partisë së tij.
Pra e vetmja mënyrë që Berisha ta shpërblej ilir Metën duke e integruar partinë e tij benda partisë së Ilir Metës, është të mos regjistrojë parti të re dhe të bëj sikur këtë të keqe e ka nga Edi Rama apo Lulzim Basha. Në fakt kjo është strategji e tij. E vetmja mënyrë se se ai ta bëj ilir Metën pjesë të partisë së tij dhe në finale të kenë një emër të përbashkët që po e eksperimentojnë për herë të tretë në Kukës në një fletë votimi, është të mos regjistrojë një parti të re, derisa të gjithë të mësohen me idenë që dhe kur të vdes Berisha kemi Metën. Kështu ka siguruar të tashmen dhe të ardhmen e partisë së tij me Ilir Metën. Kuptohet në opozitë.