Grupi investues tha se mbajtja sekret e identitetit ishte e nevojshme derisa u ble tokë e mjaftueshme, në mënyrë që të shmangeshin spekulimet, por tani grupi është i gatshëm të dëgjojë mendimet e banorëve të Solanos, përmes sondazhit të dërguar me email dhe të krijojë një bord këshillues për komunitetin. Sondazhet e kaluara kanë treguar se prindërit ishin të shqetësuar më së shumti për të ardhmen e fëmijëve të tyre, u tha në ueb-faqe.

Kalifornia ka shumë nevojë për strehim, veçmas për shtëpi të përballueshme për mësuesit, zjarrfikësit dhe punëtorët e sektorit të shërbimeve. Por, qytetet dhe qarqet nuk po e dinë se ku të ndërtojnë, pasi banorët e lagjeve ekzistuese janë shprehur kundër shtëpive të reja, pasi kanë argumentuar se do të bllokonin rrugët e tyre dhe të prishnin mënyrën e jetës së tyre të qetë.

Në shumë mënyra, Qarku Solano është ideal për ndërtim. Ky qark gjendet 97 kilometra në verilindje të Sanfranciskos dhe 56 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit kalifornian, Sakramento. Shtëpitë në Solano janë në mesin e shtëpive më të përballueshme në zonën e Bregut të San Franciskos dhe sipas të dhënave të muajit të kaluar, çmimi mesatar për një shtëpi në këtë zonë ishte 600.000 dollarë.

Por, Princess Washington, kryetare e Qytetit Suisun, tha se banorët me qëllim kanë vendosur të mbronin hapësirat e hapura dhe të mbajnë të pacenueshme zonën përreth bazës ajrore Travis, duke pasur parasysh rëndësinë që ka baza.