Parku natyror Korab-Koritnik, me bukuritë e tij natyrore dhe peizazhet mbresëlënëse po kthehet gjithnjë e më shumë në destinacionin e vizitorëve vendas e të huaj.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga Bjeshka e Pikëllimës, pjesë e parkut, të shoqëruara me disa vargje të poetit kombëtar Naim Frashëri.

“Gjithë kjo bukuri vallë nga dheu të ketë mbleruar, A me të matht të ti’ Zoti pej parajs’e ka dërguar?” – Naim Frashëri. Bjeshka e Pikëllimës, Koritnikut”, shkruan Rama.

Maja e Pikëllimës ka pamje dhe reliev piktoresk dhe ofron shumë pamje mbresëlënëse për adhuruesit e ecjes malore, fotografisë dhe botanikës.

Vizitorët gjatë ngjitjes për në mal kanë mundësi të vizitojnë dhe monumente të tjera të natyrës, si “Gryka e Vanave”, Ujëvara e Beles, liqeni i Kallabakut, ku shijojnë panoramën që ofron ky liqen.

Koritniku, me lartësi 2,392 m (Maja e Pikëllimës) shtrihet midis Grykës së Vanave dhe Zhurit të Prizrenit. Në jugperëndim bie thik në Grykën e Vanave, kurse nga verilindja, duke filluar nga Maja e Pikëllimës, ulet gradualisht me një rieliv karstik.

Parku Korab-Koritnik ka 25 monumente natyrore (kategoria e tretë e zonave të mbrojtura në Shqipëri). Maja e malit të Korabit, më i larti në Shqipëri, ka një bukuri të rrallë. Përveç tij ka edhe kreshta të tjera vargmali, me formacione gëlqerore dhe gipsi, mbuluar me bimë barishtore dhe kullota alpine, me lloje të ndryshme lulesh plot aromë gjatë pranverës dhe verës.