Kryeministri Edi Rama ndodhet në New York ndërsa ka zhvilluar një takim me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe. Rama ka ndarë foto nga takimi, ndërsa shkruan se folën për investimet që pritet të bëhen në Shqipëri.
Ndërkohë Rama lajmëron se së shpejti Presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe do zhvillojë një vizitë në Tiranë.
“Me Ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, mikun e çmuar Sheikh Abdullah Bin Zayed Bin Sultan Al Nahyan, folëm për finalizimin e paketës së investimeve në Shqipëri, si edhe për vizitën në Tiranë të Presidentit të EBA, Sheikh Mohamed Bin Zayed Al Nayan, e para e këtij niveli në vendin tonë”, shkruan Rama.
Shqipëria e mori për herë të parë Presidencën në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në periudhën 1 qershor – 30 qershor 2022. Vendi ynë u zgjodh anëtare e përkohshme e institucionit më të rëndësishëm të sigurisë në glob me votë thuajse unanime nga Asambleja e Përgjithshme për një mandat i cili filloi në janarin e vitit 2022 dhe përfundon në fund të 2023.