Drejtuesi politik i PS në qarkun Elbasan, Damian Gjiknuri, bashkë me kryebashkiakun Mariglen Disha inspektuan rehabilitimin e plotë të rrugës në lagjen Mirakë të Librazhdit.
Asfaltimi, pajisja me ndriçim, ndërtimi i trotuareve dhe mbjellja e pemëve anës rrugës e ka rivitalizuar tërësisht këtë lagje të qytetit.
Gjiknuri vlerësoi angazhimin e pushtetit vendor në Librazhd për thithjen e investimeve me qëllim zhvillimin ekonomik të zonës. “Kryetarin prandaj e zgjodhëm, si e thamë në fillim: do ta zgjedhim për punë dhe me punë do ta tregojë veten. Kështu që kjo është një nga gjërat e para që ky ka bërë. Edhe shkolla ka filluar, do ecë. Bashkë do punojmë në vazhdimësi që ta ndryshojmë Librazhdin me sa mundësi që kemi. Kryetari është njeri që di të bëjë projekte, di të kërkojë, di të punojë në Tiranë me të gjitha institucionet dhe fakti e ka treguar. Zgjerimi i rrugës do sjellë dhe zhvillim më të madh. Korridori 8 do sjellë më shumë fluks edhe më shumë ekonomi për Librazhdin”, theksoi Gjiknuri.
Kryebashkiaku Mariglen Disha u shpreh optimist se ky investim do të ndikojë në rritjen e numrit të turistëve. “Janë bërë sheshet, janë vënë stolat për qytetarët, janë vënë ndriçimi dhe pemët. Kemi dhe një urë të trashëgimisë kulturore e kategorisë së parë, shpresojmë që vitin tjetër ta financojmë këtë urë që të thithë sa më shumë turistë”, tha Disha.