Ishte konsideruar si i zhdukur që prej kryengritjes së armatosur të grupit Wagner, por gjenerali rus Sergei Surovikin, që përflitej si njeri i afërt me kreun e mercenarëve, Ivgjeni Prigozhin, është shfaqur së fundmi në një foto që po qarkullon në rrjet.

Ka raportime se gjenerali po hetohet për bashkëpunim të mundshëm në rebelimin e mercenarëve.

Ende i paverifikuar autenticiteti i fotos që tregon një burrë me syze, teksa ecën i shoqëruar nga një grua me flokë të kuqe, e cila i ngjan bashkëshortes së Surovikin, Anës.

Gazetari rus, Aleksi Venediktov shkroi veçmas në rrjetin social Telegram.

“Gjeneral Surovikin është në shtëpi me familjen e tij. Ai është me leje dhe i disponueshëm për Ministrinë e Mbrojtjes”, shkroi gazetari.

Mercenarët e Wagner tentuan një kryengritje të armatosur në 23 dhe 24 qershor, duke kërcënuar të marshojnë drejt Moskës, në shenjë rebelimi ndaj elitës ushtarake.

Prigozhin dhe 9 të tjerë u vranë në një aksident ajror pranë Moskës më 23 qershor, që nxiti spekulime nga më të ndryshmet. Pas kryengritjes së dështuar, ai ishte përshkruar nga shumë, si një i vdekur që ecte. Bashkë me fatin e tij, ishte diskutuar edhe ai i gjenaralit Surovikin, i dyshuar si bashkëpunëtor dhe anëtar vip i mercenarëve të Wagnerit.

Për herë të fundit ishte parë në një video publike gjatë kryengritjes duke i bërë thirrje forcave të Wagner të ndalnin operacionin. Mediat raportuan më vonë se ishte arrestuar, por nuk pati konfirmim zyrtar. Surovikin u vu në krye të forcave ruse në Ukrainë në muajin tetor, por u shkarkua 3 muaj më vonë. Ka fituar reputacion për brutalitetin gjatë operacioneve ruse në Siri, ku u pagëzua si gjenerali Armagedon.