Katër mina me telekomandë, me lëndë eksplozive C4, të programuara për shpërthim në distancë (të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatore), janë sekuestruar nga policia e Vlorës.
Në pranga ka rënë Petrit Ndoji, 51-vjeç, banues në Lezhës, të cilit ju gjetën 4 minat në kroskotin e makinës tip ‘Ford Fiesta’ me të cilën po udhëtonte në rrugën ‘Gjergj Kastrioti’. Policia ka dyshime se minat do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale. Këto mina u sekuestruan në kuadër të operacionit “Knock Out 3”.
Më 10 gusht në pranga të policisë në kuadër të një operacioni të ngjashëm, po në Vlorë, u arrestua xhaxhai bashkë me nipin të cilët kishin dy mina me telekomandë me vete brenda në makinë.
Policia arrestoi Fatjon dhe Ergys Gjonaj, 33 dhe 19 vjeç, banues të Laç, të cilëve ju gjetën në kroskotin e makinës dy minat me telekomandë. Këto mina ishin të programuara për shpërthim në distancë dhe sipas policisë dyshohet se do të përdoreshin për kryerjen e ngjarjeve të rënda kriminale dhe ishin të pajisura me aparat celular dhe me kapsolla detonatorë për shpërthim. Këto mina u sekuestruan në kuadër të operacionit “Knock Out 2”.
Ndërsa në kuadër të operacionit ‘Knock Out’ në shkurt të këtij viti prangosën Bledar Ukshini, 31-vjeç dhe Ardit Qamluku, 21-vjeç, të arrestuar po nga policia e Vlorës, pasi u kapën me 3 mina me telekomandë, të montuara me lëndë të dyshuar eksplozive plastike C4, të lidhura me aparat celular, për t’u komanduar në distancë.
Sipas policisë dyshohet se 2 të rinjtë, që u prangosën në një lokal, në lagjen “28 Nëntori”, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, do t’i shisnin minat, për llogari të një grupi kriminal, kundrejt çmimit 10 000 euro.