“Të zhgënjyer, presim përparim”
Kjo deklaratë e Kryeministrit Kurti dhënë një ditë më parë në Bruksel ka zgjuar reagimin e ish-ndërmjetëses në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Catherine Ashton e cila ka qëndruar të premten në Kosovë.
“Kur shikon të arrish diçka për të ardhmen duhet të shikosh domosdoshmërisht të shkuarën, të respektosh vuajtjet e tyre. Ky është lidership, por është vështirë të gjendet sot. Në atë kohë e kam hasur këtu dhe në Serbi”, tha Ashton.
Edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfaqur zhgënjimin për mungesë rezultatesh në takimin e nivelit të lartë në Bruksel të mbajtur një ditë më parë.
“Koha po kalon. Ne duam të shohim përparim në obligimet ekzistuese dhe të mëparshme, të ndërmarra në dialog dhe me Marrëveshjen e Ohrit, duke përfshirë këtu themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ne do të konsultohemi brenda dhe me partnerët tanë evropianë për hapat e ardhshëm”, u shpreh DASH.
Bashkimi Evropian i kanë hedhur poshtë pohimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, se gjatë takimit në Bruksel, vetëm ai ka paraqitur një propozim të sekuencuar për zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve. Ndërkohë reagime ka pasur edhe në Kosovë. Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, i ka quajtur çmenduri të llojit të vet, siç ka thënë, thirrjet populiste të Kurtit për t’u bashkuar kundër Perëndimit dhe botës demokratike në një shtet që ka synim integrimin euro-atlantik.
Kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, ka thënë se Kurti duhet të dorëhiqet pas, sic u shpreh, dështimit në Bruksel me tendencë të thellimit të krizës. Të enjten ka përfunduar pa rezultat takimi Kosovë Serbi në Bruksel.