Prej disa kohësh, videolojërat nuk synohen vetëm për argëtim në dhomën e ndenjes, por kanë arritur edhe në departamente të ndryshme të specializuara në jetën reale, me përdorime për qëllime teknike, strategjike dhe ushtarake. Në këtë drejtim, Forca Ajrore e SHBA-së ka ndihmuar në organizimin e një turneu eSports të krijuar për të ndihmuar anëtarët e saj që të përgatiten më mirë për situata komplekse luftarake.
Për këtë projekt, Forcat Ajrore po bashkëpunojnë me MITER (një kompani jofitimprurëse e specializuar në sigurinë kombëtare) për të nisur një turne që synon të ndihmojë ushtarët e shërbimit aktiv për të “kuptuar më mirë zgjedhjet logjistike të misionit dhe prioritet ndërsa janë nën sulmin e armiqve“. Turneu quhet “GameX: Generation Mission Under Attack” dhe i kushtohet videolojës “Drone Guardians”, e cila do të kërkojë nga ekipet e pjesëmarrësve të mbrojnë një fushë ajrore nga sulmet e armikut. Turneu do të mbahet në tre vende të ndryshme duke filluar nga java e dytë e tetorit, përkatësisht në bazën e Forcave Ajrore Shaw (Karolina e Jugut), në selinë e MITER në McLean (Virginia) dhe në dhomat e zyrës rajonale të kompanisë në San Antonio (Texas). Sipas asaj që është raportuar nga organizata, loja do të përziejë elementë të zakonshëm për stërvitjet me qitje, strategji dhe puzzle, duke detyruar ushtarët të merren me një gamë të gjerë sulmesh që vijnë nga toka, ajri, deti, hapësira dhe madje edhe sulme kibernetike, të cilat gjithashtu mund të ndodhin të gjitha në të njëjtën kohë.
Lojtarët do të duhet të punojnë së bashku për të dhënë prioritet se cilën zonë të mbrojnë, duke e mbajtur aeroportin në funksion për fluturime luftarake. “Ekipet duhet të marrin vendime kritike për misionin”, thuhet në përshkrimin e videolojës në faqen zyrtare të grupit MITER, “si p.sh. t’i jepet përparësi përgatitjes së avionëve për nisje në vend të mbrojtjes së bazës ajrore, ose zhvillimit të një strategjie”.
Gjithashtu pjesëmarrësit në lojë duhet të sigurohen gjatë saj se kanë furnizimet e nevojshme për të përfunduar misionin. Loja është krijuar për të ndihmuar Forcat Ajrore të mbledhin të dhëna që mund të ndihmojnë në mbajtjen e bazave ajrore të botës reale të sigurta dhe të furnizuara, duke shpëtuar jetën e atyre që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.
“Edhe pa ndërhyrjen e një kundërshtari, rrjetet e logjistikës ushtarake mund të jenë të brishta dhe kaotike dhe të kenë pika dështimi, duke krijuar mundësi të pjekura për sulme. Teksa ushtritë planifikojnë dhe ekzekutojnë lëvizjen, furnizimin dhe mirëmbajtjen e forcave të tyre, ata ka të ngjarë të jenë tashmë nën sulm në konfliktin e ardhshëm global. GameX përdor pjesëmarrësit ushtarakë dhe civilë për të parë se cilat vendime logjistike do t’i mundësojnë më së miri ata të kryejnë misionin“, tha Eliahu Niewood – nënkryetar i Forcave Ajrore dhe Hapësinore të MITER.
Megjithatë, ushtria amerikane nuk është një neofite në fushën e videolojërave, pasi në të vërtetë ajo ka një histori të gjatë videolojërash të aplikuara në stërvitje.
Në një prej tyre, një lojë Super Nintendo u përdor në vitin 1993 posaçërisht për të ndihmuar ushtrinë të trajnojë ushtarët në qitje. Ushtria më vonë u bashkua me Raytheon për të krijuar një imitues luftimi të realitetit virtual që gjurmon lëvizjet e trupit të një ushtari.